Bardhi: Seancat plenare nuk janë si PPP-të e Edi Ramës, publikoni orarin

Sekretari përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi i ka bërë thirrje Edi Ramës që të “lejojë Gramoz Ruçin që të bëjë publike orën e seancës plenare”.

Sekretari përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi i ka bërë thirrje Edi Ramës që të “lejojë Gramoz Ruçin që të bëjë publike orën e seancës plenare”.

“Edi Rama, lejoje Gramozin të publikojë orën e seancës plenare! Seanca plenare nuk është si PPP e tua, që i njoftohet vetëm klientit privat dhe publikut i mbahet i fshehtë. Parlamenti është i qytetarëve, jo i përfaqësuesve të krimit! Shihemi më 5 Mars përpara Parlamentit! ✌”, ka shkruar Gazmend Bardhi në Twitter.

Më herët, policia ka refuzuar lejen Partisë Demokratike për t’u tubuar në datën 5 mars para godinës së seancave plenare të Parlamentit. Përgjigja u është komunikuar demokratëve, që kishin dorëzuar me herët në Drejtorinë e Policisë së Tiranës kërkesën.

Policia e argumenton refuzimin e lejes nisur nga incidentet dhe dhuna që shoqëroi protestën e 26 shkurtit para Kuvendit.

“Nisur nga shkeljet ligjore të konstatuara në tubimet e fundit të zhvilluara nga Partia Demokratike, dhuna fizike e përdorur ndaj anëtarëve të Qeverisë, deputetëve me qëllim pengimin e tyre që të futeshin në godinë, dhuna dhe goditja e punonjësve të policisë dhe thirrjet e organizatorëve dhe tubuesve me përmbajtje dhune”, thuhet në komunikimin që Policia e Shtetit i ka dërguar Partisë Demokratike.

Nga ky komunikim kuptohet lehtësisht se Partia Demokratike nuk do të tërhiqet as nga organizimi i protestës dhe as nga vendndodhja e saj, pavarësisht refuzimit që i ka bërë Policia e Shtetit.

Vetë uniformat blu janë të vetëdijshme për këtë dhe përreth godinës së Parlamentit kanë nisur përgatitjet për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e tubimit duke instaluar dhjetëra kamera.