Banorët e Unazës së Re kanë refuzuar grupet e vlerësimit për kompensim ditën e hënë.
Ashtu siç ishte paralajmëruar, sot punonjësit e ARRSH-së dhe të bashkisë kanë dalë në terren për të hequr shtyllat e ndriçimit dhe pemët në të dyja anët e rrugës ku do të kalojë segmenti i “Unaza së Re”.
Teksa banorët kanë hyrë sot në ditën e 23 të protestës, ata kërkojnë me ngulm që të tërhiqet qeveria në vendimin për prishjen e banesave pa dëmshpërblyer më parë bizneset dhe shtëpitë në vlerën e tregut.
Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka reaguar pas refuzimit që banorët i bënë grupeve të vlerësimit.
Në njoftimin e ARRSH-së thuhet se grupet e vlerësimit kanë mbërritur sot në ato objekte banorët e të cilëve kanë depozituar pranë këtij institucioni dokumentacionin e pronësisë dhe kanë kërkuar të vazhdohet me verifikimet dhe procedurën e shpronësimit, ndërsa janë penguar nga banorë të tjerë të zonës, që nuk kanë lidhje me objektet të cilat po verifikohen.
“Gjatë punës në terren banorë të tjerë të zonës, që nuk kanë lidhje me objektet të cilat po verifikohen, kanë penguar me dhunë inxhinierët në ushtrimin e detyrës. Ata kanë dhunuar edhe mjediset private të banorëve me dokumentacion pronësie, të cilët kanë qenë të pranishëm dhe të gatshëm për verifikimin e banesës në funksion të shpronësimit. Në këtë formë, këta individë po mohojnë të drejtën e pronarëve të ligjshëm për një proces verifikimi të banesave të tyre”, citohet në njoftim./TCh