Ballkanasit konsumojnë më shumë bukë se europianët, listën e kryesojnë shqiptarët

Shqipëria është shteti ku konsumohet më shumë bukë në krahasim me vendet e Bashkimit Evropian dhe rajonit. Kosto për familjet pritet të rriten edhe më shumë në muajt e fundit të këtij viti, për shkak të shtrenjtimit të drithërave dhe miellit në tregjet ndërkombëtare.

Qytetarët e Shqipërisë janë ata që shpenzojnë më shumë për bukë në krahasim me qytetarët e vendeve evropiane.

Sipas raportit të Institutit Europian të Statistikave shpenzimet nominale për bukë dhe drithëra, si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2020 për vendin tonë ishin 4.8%, më të lartat në Europë.

Në periudhën 2016-2019 shpenzimet nominale për bukë dhe drithëra ishte ulur në 4.7% por gjatë vitit të shkuar është regjistruar një rritje.

Tashmë me shtrenjtimin e drithërave dhe të miellit kosto për familjet në Shqipëri do të rriten edhe më shumë, çka do të reflektohet dhe në statistikat e vitit 2021.

Kujtojmë se vetëm në këtë javë çmimi i bukës në kryeqyet u rrit me rreth 10 lekë, e po ashtu dhe i miellit.

Pas Shqipërisë, shteti që shpenzon më shumë për bukë është Rumania me 4% të PBB-së, Mali i Zi, me 3.9% të GDP-së, i ndjekur nga Bosnje-Hercegovina me 3.1% dhe Maqedonia e Veriut me 3%.

Greqia shpenzon 2.7% të GDP-së për bukë dhe drithëra, ndërsa Serbia është shteti që shpenzon më pak në rajon.

Mesatarja e vendeve të Ballkanit është 3% e GDP-së, shumë më e lartë se mesatarja prej 1.3% e 27 vendeve të Bashkimit Europian.

Sipas Eurostat në vitin 2020, çmimi i bukës dhe drithërave në Zvicër ishte rreth dy herë e gjysmë më i lartë se Turqia që është më e lira.