Austria: Mbështesim Shqipërinë! Cakaj: Do marrim edhe kryesimin e OSBE-së në 2020

Gent Cakaj, ministër në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme po zhvillon një vizitë njëditore në Austri.

Gent Cakaj, ministër në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme po zhvillon një vizitë njëditore në Austri.

Gazetari Muhamed Veliu, i cili po e ndjek nga afër këtë vizitë, bëri me dije se ministri “ka nisur një vizitë njëditore në kuadër të një turi lobimi që do të ndërmarrë në të gjitha kryeqytetet e Evropës për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE të Shqipërisë”.

Sipas gazetarit, ministrja austriake ka vlerësuar reformat e deritanishme të Shqipërisë dhe ka mbështetur integrimin e vendit tonë në BE.

“Jam shumë e lumtur të mirëpres kolegun tim këtu në Vjenë. Marrëdhëniet bilaterale janë perfekte. Siç edhe dihet, Austria është një mbështetëse e fortë e BE-së. Përsa i përket Shqipërisë, thellësisht vlerësojmë përpjekjet që lidhen me reformat, në veçanti atë në drejtësi dhe rezultatet që janë arritur deri tani. Ne jemi në dijeni për situatën politike bllokuese. Përsa i përket Shqipërisë në rolin e saj të bashkëpunimit si për shembull doganat, lufta ndaj korrupsionit, trafiku i drogës, autoritetet shqiptare kanë bërë një progres tejet të mirë, kjo duhet të merret në konsideratë dhe të respektohet. Përsa i përket bisedimeve të ardhshme për hapjen e negociatave me BE-në, Vjena dhe qeveria jonë janë gjithmonë për të dhënë mbështetje. Kjo sepse ne mendojmë që pjesa juglindore e Evropës duhet ta marrë në konsideratë edhe për çështjet që lidhen me emigracionin dhe sigurinë, për ta bërë BE-në më të sigurtë”, tha ministrja e Jashtme e Austrisë.

Top Channel: Cili është qëndrimi i qeverisë suaj, a e meriton Shqipëria çeljen e negociatave në BE?

Karin Kneissl: Siç e theksova në fjalen time, ne jemi mbështetës të fortë dhe vlerësues të reformave të ndërmarra dhe të menduarit të Europës për një strategji zgjerimi, shkruan Top Channel.

Ndërsa Gent Cakaj deklaroi: “Falenderoj përzemërsisht ministren për bashkëpunimin konstruktiv. Kjo vizitë shërbeu për të hapur bashkëpunimin edhe në fusha të tjera. Fokusi i takimit ka qenë bashkëpunimi bilateral në fushën e ekonomisë, tregtisë dhe investimeve të reja. Pika e dyta ka qenë mbështetja e Austrisë për axhendën europiane për të hapur negociatat në qershor të këtij viti bazuar në progresin që ka arritur Shqipëria në 5 prioritetet. Si dhe kemi biseduar për kryesimin e Shqipërisë së OSBE-së në vitin 2020. Kemi marrë mbështetjen e Austrisë për këtë proces në nivel diplomatik dhe teknik për rritjen e kapaciteteve tona”.