Astrit Patozi: Bindja Demokratike, kundër kontrollit nga PS dhe PD

“Ky është një produkt bio shqiptar. Bindja Demokratike është një produkt bio i disa shqiptarëve të lirë”.

“Ky është një produkt bio shqiptar. Bindja Demokratike është një produkt bio i disa shqiptarëve të lirë”.

Ky është përkufizimi i Astrit Patozit se çfarë është partia Bindja Demokratike e cila u regjistrua në Gjykatën e Tiranës dhe në KQZ. Kjo forcë e re politike ka si prioritete zgjedhje të lira dhe të ndershme përmes ndryshimit të sistemit zgjedhor, betejë kundër korrupsionit politik dhe atij shtetëror dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, shkruan Top Channel.

Nga studio e emisionit Top Talk në Top Channel, Astrit Patozi tregon se pse kjo parti u quajt Bindja Demokratrike: “Ne mendojmë që bindja demokratike që ekziston te vendet e Evropës Perëndimore është ajo që mban në këmbë politikën në shërbim të interesit publik, që mban në këmbë institucionet e shëndosha. Kjo shoqëri ka nevojë që të krijojë një bindje demokratike”.

Si lindi dhe kush e përkrah këtë forcë politike?

“Është ëndrra e një grupi shumë të madh njerëzish, nuk është projekt personal, të cilët kanë lexuar siç duhet urinë e publikut shqiptar për të pasur një gjë të re”, u përgjigj Patozi.

Për të gjithë ata që kanë nisur sulmet ndaj Bindjes Demokratike dhe Lulzim Bashën, Astrit Patozi thotë: “Opozita nuk është pronë. Në rast se dikush mendon që ka monopolin e opozitës dhe është ai që vendos nëse tjetri është apo nuk është në opozitë, e ka gabim. Opozita është një status që ta japin zgjedhjet dhe në rast se nuk ke këllqe dhe thua që unë do të vras veten sepse vetëm vetëvrasja ime e rrëzon qeverinë, për mua është një braktisje e përgjegjësive”.

Astrit Patozi tregoi se Bindja Demokratike do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale: “Për ne ka më shumë rëndësi cilësia e zgjedhjeve sesa rezultati. Ne nuk mund të pretendojmë sot për të fituar dhe për të mundur qeverinë”.