Artan Lame paralajmëron arrestime: Së shpejti do dëgjojmë edhe për Tiranën, ka mbivendosje të pronave

Kreu i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame bëri një deklaratë të fortë, teksa pohoi se shumë shpejt në Tiranë do të shohim atë çka ka ndodhur në Kadastrën e Durrësit, duke nënkuptuar kështu arrestime. Ai deklaroi sot në ‘Opinion’ janë konstatuar raste të mbivendosjes së pronës.

Lame sqaroi mënyrën sesi do funksionojë Kadastra e cila nga 1 maji sportelet e administratës do të zhvendosen online. “Së shpejti do të dëgjojmë edhe për Tiranë, si në rastin e asaj që ka ndodhur në Kadastrën e Durrësit, pasi ka patur mbivendosje të pronës. Te Kadastra nuk do ndodhë asnjë ndryshim se ne e kemi prej dy vitesh këtë. Vetëm në institucione të tjera do të ketë këto ndryshime nga 1 maji”- tha Lame.

Ai është ndaluar veçanërisht tek certifikatë e pronësisë, si një nga dokumentet më të rëndësishme që lëshohen nga ky institucion, ndërsa tha se tashmë qytetarët nuk do të marrin më një certifikate të printuar, por një dokument me barkod dhe vulë dixhitale.

“Për të 76 shërbimet që jep Kadastra, që nga lëshimi i certifikatës e deri tek të gjitha, kopje kartele, vënie sigurie, aplikimi bëhet online nëpërmjet e -Albanias dhe përgjigja që merr qytetari është po online në llogarinë personale që i shkon qytetarit.

Certifikatën e re tip po të duash e printon, është në sistem. Është në celularin tënd e siguruar. Ditën që nuk ka më vulë të njomë, nuk ka më firmë të njomë, ka vulën elektronike dhe këtë barkodin këtu. Ky barkod është unik. Nëse do e duash në letër e printon po deshe. Nëse do të shesësh shtëpinë, ti do shkosh tek noteri do iu thuash: ‘Kam një shtëpi dua ta shes’. Tek noteri natyrisht që do shkosh. Do thotë noteri: ‘Më jep kodin tënd në e- Albania’ ose noteri vendos pajisjen e hap vetë këtu, e shkarkon vetë automatikisht noteri. Pra nuk je më në situatën; ‘duart lart, më jep letrat’”, tha Lame.