Arrestohet shefi ekzekutiv i Audit

Shefi ekzekutiv i prodhuesit gjerman të automjeteve “Audi”, Rupert Stadler është arrestuar këtë të hënë në lidhje me hetimin mbi skandalin e emetimit të gazrave të dëmshëm nga makinat me naftë.

Shefi ekzekutiv i prodhuesit gjerman të automjeteve “Audi”, Rupert Stadler është arrestuar këtë të hënë në lidhje me hetimin mbi skandalin e emetimit të gazrave të dëmshëm nga makinat me naftë.

Lajmi konfirmohet nga një zëdhënës i Volkswagenit, kompania që zotëron edhe aksionet e Audit. Prokurorët bavarezë nga Mynihu thonë se kërkuan arrestimin e tij, për shkak të rrezikut që paraqet Stadler për prishjen e provave.

Skandali shpërtheu 3 vite më parë, kur u mësua për herë të parë se automjetet ishin pajisur me pajisje të posaçme për t’ia hedhur testeve të emetimit të gazrave të dëmshëm.

Pajisjet u zbuluan fillimisht në makinat e Volkswagenit, por edhe filiali i kësaj kompanie, Audi, u përfshi më tej në skandal.

Muajin e kaluar, Audi pranoi se 60 mijë automjete të tjera të modeleve A6 dhe A7 me motor nafte kishin probleme të ngjashme me emetimin. Kjo sasi i shtohet asaj prej 850 mijë makinash që u tërhoqën nga tregu prej Audit vitin e kaluar, prej të cilave disa duhet t’iu nënshtrohen medoemos modifikimeve.

Prokurorët e Mynihut thanë se Stadler duhej të merrej në pyetje të mërkurën, pasi të komunikonte me avokatët e tij. Skandali i ashtuquajtur “dieselgate” u zbulua fillimisht në shtator të vitit 2015.

Nicolai Laude, një zëdhënës i kompanisë ‘VW’, që është kompania mëmë e ‘Audi’-t, konfirmoi se Stadler ishte arrestuar, por ai nuk pranoi të komentojë më shumë mbi hetimin, raporton CNN.

Ai tha se bordi mbikëqyrës i kompanisë do të diskutonte për këtë çështje ditën e sotme.

“Parimi i prezumimit të pafajësisë vazhdon të zbatohet ndaj z. Stadler,” shtoi ai në një deklaratë.

Arrestimi vjen vetëm disa ditë pasi Gjermania vendosi një gjobë prej 1 miliardë eurosh (1.2 miliardë dollarë) ndaj kompanisë ‘VW’ (VLKAY) për manipulimin e shkarkimit të gazrave të motorit të naftës të makinave të shitura në të gjithë botën.

Volkswageni pranoi se rreth 600 mijë automjete ishin shitur në SHBA me pajisjen kompromentuese. Prodhuesi i makinave deklaroi më pas se këtë pajisje e kishte instaluar në rreth 11 milionë makina me naftë anembanë botës.