Arrestohet polici ‘sekser’, mori 1500 euro për një diplomë në universitetin privat

Një punonjës policie është arrestuar nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) pasi dyshohet se ka ndihmuar një person për të marrë diplomën nga një universitet privat kundrejt pagesës.

Në njoftimin e saj SHÇBA bën të ditur se është arrestuar 47-vjeçari E. SH, me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet, Komisariati i Policisë Nr. 2, Tiranë.

“Punonjësi i policisë E. SH. dyshohet se duke ndërhyrë tek personat me funksione, të punësuar në një universitet privat, mundësoi pajisjen me diplomë të një shtetasi, edhe pse ky i fundit nuk ndoqi për asnjë ditë proçesin mësimor, në këmbim të përfitimit të shumës prej 1500 eurove.”

Mbi të rëndon akuza “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Njoftimi i SHÇBA:

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) arreston një punonjës policie të dyshuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Arrestimi i punonjësit të policisë E. SH., 47 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet, Komisariati i Policisë Nr. 2, Tiranë u krye me urdhër të Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për ekzekutimin e Vendimit të kësaj Gjykate mbi caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal.

Punonjësi i policisë E. SH. dyshohet se duke ndërhyrë tek personat me funksione, të punësuar në një universitet privat, mundësoi pajisjen me diplomë të një shtetasi, edhe pse ky i fundit nuk ndoqi për asnjë ditë proçesin mësimor, në këmbim të përfitimit të shumës prej 1500 eurove.

Arrestimi u krye në kuadër të Proçedimit Penal Nr. 3343, viti 2019, regjistruar nga Prokuroria Pranë Gjykatës Shkallës Parë Tiranë, për veprat penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve”.