Arrestohet 45 vjeçari shqiptar në Itali, mbante në bodrumin e banesës 60 mijë euro kokainë

Policia ka arritur të vërë në pranga një 45 vjeçar shqiptar i cili trafikonte kokainë në Prato. Plot 1200 doza kokainë i janë gjetur shqiptarit në bodrumin e banesës, të cilat kapnin vlerën e të paktën 60 mijë eurove nëse do të shiteshin në tregun e zi.

Gjurmimi i tij u bë gjatë lëvizjeve të shqiptarit dhe takimeve me të tjerë eksponentë kriminalë. 45 vjeçari lëvizte me të njëjtën makinë dhe identifikimi i tij u bë i lehtë falë këtij fakti. Në bastisjen e banesës së tij u gjet gjysëm kilogrami kokainë e ndarë në 1200 doza si dhe një sasi prej rreth 2500 eurosh cash.

Pasi gjetën dhe sekuestruan drogën, policia ka bërë të mundur arrestimin e 45 vjeçarit. Ky i fundit nuk ishte i panjohur për drejtësinë, pasi kishte patur precedentë të mëparshëm kriminalë./Express