Ardhja e Papës në Shkup, rregulla të veçanta për këmbësorët

Zona e "Unazës së Vogël" do të jetë e qasshme përmes 8 hyrjeve në të cilat MPB do të kryejë kontrolle të sigurisë duke kontrolluar qytetarët dhe kartat e tyre të identitetit, letërnjoftim ose pasaportë

Gjatë vizitës së udhëheqësit të Kishës Katolike, Papa Françeskut në Maqedoninë e Veriut, lëvizja në zonën qendrore të qytetit të Shkupit, e njohur si “Unaza e Vogël”, do të jetë e lirë, mirëpo e ngadalësuar, nga shkaku se zona në fjalë do të jetë nën masa të rrepta të sigurisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç bëhet e ditur, të gjithë qytetarët që do të hyjnë në këtë zonë më 7 maj nga ora 6:00 deri në ora 19:00, do të duhet në tregojnë një dokument identifikimi të vlefshëm, pas çka do të kalojnë përmes një kontrolli të sigurisë.

Ministria e Punëve të Brendëshme (MPB) u bën thirrje të gjithë qytetarëve që punojnë në këtë zonë, që për të mbëritur në kohë në vendet e punës të nisen të paktën 30 minuta më herët se rëndomë.

Zona e “Unazës së Vogël” do të jetë e qasshme përmes 8 hyrjeve në të cilat MPB do të kryejë kontrolle të sigurisë duke kontrolluar qytetarët dhe kartat e tyre të identitetit, letërnjoftim ose pasaportë.

MPB thotë se këto do të jenë hyrjet e vetme përmes të cilave qytetarët do të mund të shkojnë në sheshin e qytetit.