“Aplikimet për azil në vendet evropiane kanë shënuar rënie”

Në muajin qershor në BE dhe në Norvegji, Zvicër, Islandë, Lihtenshtajn janë kryer afërsisht 51,300 aplikime për mbrojtje ndërkombëtare dhe se kjo shifër në krahasim me një muaj më parë ka rënie me rreth 1.600 aplikime

Agjencia Evropiane për Mbështetjen e Azilit (EASO), ka njoftuar se në gjysmën e parë të këtij viti është shënuar një rënie e lehtë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar tek aplikimet për azil të kryera në vendet e Bashkimit Evropian (BE) dhe në Norvegji, Zvicër, Islandë, Lihtenshtajn, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një deklarate me shkrim nga EASO, mësohet se në muajin qershor në BE dhe në Norvegji, Zvicër, Islandë, Lihtenshtajn janë kryer afërsisht 51,300 aplikime për mbrojtje ndërkombëtare dhe se kjo shifër në krahasim me një muaj më parë ka rënie me rreth 1.600 aplikime.

“Në gjysmën e parë të vitit 2018 në vendet e Bashkimit Evropian (BE) dhe në Norvegji, Zvicër, Islandë, Lihtenshtajn janë kryer rreth 301 mijë e 390 aplikime. Në krahasim me gjysmën e parë të vitit 2017, vërehet se është shënuar një rënie me 15 për qind”, thuhet në deklaratë.

Gjithashtu bëhet e ditur se shumica e aplikimeve të kryera në muajin qershor janë nga qytetarët me origjinë nga Siria, Afganistani, Iraku, Pakistani dhe Nigeria. Po ashtu vihet në dukje se ka patur një rritje të aplikimeve të bëra që nga fillimi i vitit e deri tani nga qytetarët e Venezuelës.

Po ashtu njoftohet se në aplikimet e bëra në muajin qershor rreth 2.5 e tyre përbëhen nga fëmijët e pashoqëruar, të cilët më së shumti janë nga vendet si Afganistani, Eritrea dhe Pakistani.