Apeli i Zaevit: Maqedonasit të pranojnë emrin e ri

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev tha se qytetarët duhet të pranojnë emrin e ri të shtetit, ose do të përballen me destabilitet dhe izolim.

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev tha se qytetarët duhet të pranojnë emrin e ri të shtetit, ose do të përballen me destabilitet dhe izolim,raporton Top Channel.

Në një intervistë për agjencinë “AFP”, Zaev kërkoi nga maqedonasit të votojnë pozitivisht në referendumin që do të vendosë për riemërimin e vendit, me emrin “Republika e Maqedonisë së Veriut”.

Referendumi do të mbahet më 30 shtator, si rezultat i marrëveshjes së arritur mes Maqedonisë dhe Greqisë për t’i dhënë fund çështjes së emrit pas shumë dekadave.

Çështja e emrit mes Shkupit dhe Athinës daton që nga viti 1991, kur Maqedonia u nda nga Jugosllavia dhe deklaroi pavarësinë nën emrin Republika e Maqedonisë.

Greqia nuk është pajtuar me emrin Maqedoni, për shkak se – sipas tyre, – përfshin territorin e veriut të Greqisë me të njëjtin emër. Për shkak të kundërshtimeve greke, Maqedonia është pranuar në Kombet e Bashkuara me një emër të përkohshëm ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë.

Greqia, anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Europian kishte deklaruar se mund të ketë veto në rast të planit për anëtarësim të Maqedonisë në këto dy organizata.