Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka rikonfirmuar dje dënimin më burg të përjetshëm për Denis Shtazën, duke i dhënë formë të prerë vendimit të Shkallës së Parë. Denis Shtraza u shpall fajtor për rrëmbimin me pasojë vdekjen e Gazmend Çollakut në janar të vitit 2016.
Më 19 mars 2018, Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi me burg të përjashtëm por ky vendim u apelua nga pala mbrojtëse. I pandehuri dhe avokati i tij kanë pretenduar për pafajësi me argumentin se nuk ka lidhje me vrasjen e Çollakut.
Por ditën e djeshme krimet e rënda hodhën poshtë këto pretendime duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë ndaj Denis Shtrazës. Gjatë gjithë procesit gjyqësor, Denis Shtraza ka mohuar kategorikisht përfshirjen si autor i drejtpërdrejtë apo bashkëpunëtor në vrasjen e Gazmend Çollakut, madje ai shpesh ka thënë se ka qenë mik me viktimën.
Kujtojmë që Gazmend Çollaku u rrëmbye në qendër të qytetit të Durrësit dhe të nesërmen, ai u gjet i vdekur në fshatin Murqin të Fushë-Krujës, i ekzekutuar me dy plumba pas koke.
Më parë, ai ishte keqtrajtuar nga autorët e vrasjes, pasi në trup iu gjetën shenja dhune. Sipas Gjykatës së Krimeve të Rënda provohet që Shtraza ka marrë pjesë në rrëmbimin në Durrës dhe më pas ekzekutimin e Çollakut. Njollat e gjakut të gjetura në makinën ku udhëtonte Shtraza janë të viktimës dhe kjo gjë konfirmon dyshimet se ai ka marrë pjesë në krim.
Shtraza e ka pritur i qetë vendimin duke mos e kundërshtuar në sallë. Vendimi ndaj tij erdhi pas 50 seancash gjyqësore të zhvilluara tek Krimet e Rënda. Në dhënien e vendimit gjyqtarët e krimeve thanë se njollat e gjakut të konstatuara në mjetin “Mercedes Benz ML”, në të cilin kanë udhëtuar Ervin Dalipaj dhe Denis Shtraza 3-4 orë pas ngjarjes, janë të viktimës Çollaku. Gjykata vlerësonte se viktima nuk kishte njohje me Dalipajn dhe se nuk kishte pasur kontakt me mjetin e tij.
Në mungesë të një kontakti të mëparshëm të viktimës me këtë automjet, arsyetoi gjykata, njollat e gjakut në mjet janë bërë ose nga një kontakti fizik direkt, ose nga mjetet me të cilat është goditur, qëlluar, lidhur apo mbështjellë Çollaku.
Mbrojtësit e të dënuarit pretenduan gjatë konkluzioneve të tyre se fajësia e tij nuk provohet nga provat e sjella nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Pritet që vendimi i kësaj të hëne të ankimohet në Gjykatën e Apelit nga avokatët. 34-vjeçari Shtraza u arrestua më 28 Janar të 2016-s në Rinas, teksa po tentonte të largohej nga Shqipëria.
Hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda
Sipas Prokurorisë, autorët kanë qenë të veshur si punonjës policie, kur e rrëmbyen Çollakun. Shkak për krimin, sipas prokurorisë, ishte bërë një tentativë e Çollakut për të vrarë Shtrazën në vitin 2013 dhe konfliktet mes tyre. Përveç provave shkencore si ADN-ja e të pandehurit, kamera e sigurisë solli si provë edhe një informacion policor.
Sipas këtij informacioni Shtraza dhe Çollaku kanë pasur konflikt mes tyre, pasi ky i fundit e kishte plagosur. Në këtë informacion i pandehuri thoshte se nuk kishte për ta falur Çollakun dhe do të merrte hak.
Sipas prokurorisë si bashkautor të rrëmbimit dhe vrasjes së Gazmend Çollakut, policia shpalli në kërkim edhe ish–oficerin e policisë, Ervin Dalipajn, me detyrë ish Shef i Seksionit të Krimit Ekonomik në Policinë e Tiranës.
Ndërkohë që në dosjen e akuzës thuhej se Shtraza dhe Dalipaj janë shoqëruar ditën e ngjarjes dhe në makinën e ish-policit u gjetën gjurmë gjaku, të njëjta me ato që u gjetën në trupin e viktimës. Sipas hetimeve, viktima ishte transportuar me makinën e ish-policit në të cilën u gjetën njolla gjaku që i përkisnin viktimës.
Por në një intervistë në datën 30 Janar 2016, 24 ditë pas vrasjes së Gazmend Çollakut, 39-vjeçari Dalipaj mohoi se kishte lidhje me ngjarjen duke i cilësuar akuzat të fabrikuara nga Policia e Shtetit. Pas 15 muajve në arrati, Dalipaj u ekzekutua me një breshëri plumbash në Sukth, në rrugën dytësore ngjitur me autostradën. Ish-oficeri udhëtonte me makinë, sëbashku me mikun e tij, Xhino Dautaj kur u vranë. Autorët e kësaj ngjarjeje nuk janë kapur ende. /SOT