Anija e shpimit Yavuz fillon operimet në Mesdheun Lindor

“Do të donim të falënderojmë qeverinë turke edhe një herë, sepse nuk është e lehtë të zhvillosh këto aktivitete me kosto shumë të lartë”, tha Ersin, kryeministër i Qipros Turke

Anija e shpimit e gjeneratës së gjashtë “Yavuz” ka filluar operimet e saj në rajonin Karpaz-1 në Republikën Turke të Qipros Veriore (TRNC), rajon që ndodhet në Gjirin Gazimağusa, i njohur po ashtu si Famagusta, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri turk i Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Fatih Dönmez, vizitoi anijen e shpimit me kryeministrin e TRNC-së, Ersin Tatar dhe ministrin e Ekonomisë dhe Energjisë, Hasan Taçoy.

Pas vizitës, Dönmez tha se që sot kanë arritur në një thellësi të shpimit prej 1.710 metrash dhe bëri të ditur se do të punojnë me një program 2.5-3 mujor. Ai shprehu shpresë se kur të arrijnë në thellësinë e synuar, ata do të gjejnë burime të gazit natyror.

Nga pranvera e këndej kur Ankara dërgoi në Mesdheun Lindor dy anije të shpimit, anijen Fatih dhe atë Yavuz, puna ka qenë në vijim duke pohuar të drejtën e Turqisë dhe TRN-së për burimet e rajonit.

“Anija e shpimit Yavuz është flota më e fundit, ndërsa anija e shpimit Fatih po ashtu vazhdon të kryejë operacionet e saj në pjesën perëndimore të ishullit”, tha Dönmez.

Anija e parë sizmike e Turqisë “Barbaros Hayreddin Paşa”, e blerë nga Norvegjia në vitin 2013, po kryen eksplorime në Mesdhe që prej prillit të vitit 2017.

“Në muajin gusht, anija jonë e dytë sizmike, MTA Oruc Reis, po ashtu do të dërgohet në Mesdhe. Kështu që ne do të vazhdojmë të kryejmë aktivitetet tona kërkimore dhe të shpimit në Mesdhe me dy anije sizmike dhe dy anije të shpimit”, tha Dönmez.

MTA Oruc Reis ka kryer studime sizmike në Detin Mesdhe dhe Marmara që prej gushtit të vitit 2017.

Athina dhe administrata e Qipros Greke kanë kundërshtuar lëvizjen e Turqisë në Mesdhe, si dhe kanë kërcënuar me arrestimin e ekuipazhit të anijeve dhe kanë kërkuar nga udhëheqësit e Bashkimit Evropian (BE) që gjithashtu të dënojnë aktivitetet e Turqisë.

Duke theksuar mbështetjen e fuqishme të Turqisë për të drejtat e popullit turk që jeton në TRNC, Dönmez tha se qeveria e TRNC-së muajin e kaluar sugjeroi krijimin e një mekanizmi bashkëpunimi për kërkime të përbashkëta dhe ndarjen e fitimeve të burimeve të hidrokarbureve rreth ishullit të Qipros. Sidoqoftë, ky sugjerim u refuzua nga administrata e Qipros Greke.

“Edhe një herë do të dëshiroja të them që mbledhja e të dy palëve me qëllim të rivlerësimit të këtij propozimi do të jetë në të mirë të të gjitha palëve. Dhe, edhe një herë do të dëshiroja të them se jemi të gatshëm të mbështesim këtë takim si vend garantues”, theksoi Dönmez.

Kryeministrit Ersin tha se qëndrimi vendimtar i Turqisë është thelbësor për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të popullit të Qipros Turke në Mesdheun Lindor.

“Do të donim të falënderojmë qeverinë turke edhe një herë, sepse nuk është e lehtë të zhvillosh këto aktivitete me kosto shumë të lartë”, tha Ersin.

Turqia në mënyrë të vazhdueshme ka kundërshtuar shpimet e njëanshme të administratës së Qipros Greke në Mesdheun Lindor, duke pohuar se Qiproja Turke po ashtu ka të drejta për burimet në zonë.

Në vitin 1974, pas një grusht shteti që synonte aneksimin e Qipros nga Greqia, Ankaraja duhej të ndërhynte si një fuqi garantuese. Në vitin 1983 u themelua TRNC.

Në dekadat që nga ajo kohë kishte disa përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjen e Qipros, por të gjitha përfunduan të pasuksesshme. E fundit, e zhvilluar në vitin 2017 në Zvicër me pjesëmarrjen e vendeve garantuese, Turqinë, Greqinë dhe Mbretërinë e Bashkuar, përfundoi pa ndonjë përparim.Anija e shpimit Yavuz fillon operimet në Mesdheun Lindor