Anglia në gjysmëfinale, Suedia e pafuqishme përballë “3 Luanëve”

Përfundon “magjia” suedeze, Anglia kalon në gjysmëfinale

Efekti magjik i surprizës ka përfunduar për Suedinë, që u mposht me rezultatin 2-0 nga Anglia në çerekfinale dhe do të detyrohet të kthehet në shtëpi.

Nordikët lanë jashtë botërorit Holandën e Italinë, ndërsa eliminuan më pas Gjermaninë e Zvicrën, por nuk arritën të bëjnë asgjë përballë Anglisë.

Skuadra e Southgate tregoi edhe njëherë të gjithë pjekurinë e nevojshme për të marrë rezultatin duhur në sfida të tilla dhe arriti të sigurojë gjysmëfinalen e “Rusi 2018”.

Që në minutat e para të ndeshjes Anglia e kërkoi me ngulm golin e avantazhit. Kane dhe Sterling, të ndihmuar dhe nga Dele Alli i dhanë gjallëri sulmit të Anglisë, por suedezët ishin të pozicionuar mirë në mbrojtje duke mos lejuar gabimet. Edhe Olsen bëri paraqitje të mirë në minutat e para, megjithatë, rezistenca e tyre dukej sikur të ishte një “katenaço”, pasi “vikingët” prishën çdo aksion të ishullorëve.

Por, rezistenca nuk shkoi më tepër se në minutën e 30, kur me anë të një goditjeje nga këndi të ekzekutuar nga Young, Harry Maguire e dërgoi në rrjetë duke lënë të shokuar nordikët që dukej se shpresonin më tepër, 0-1!

Në minutat 44-45 Anglia pati shanset më të mira për të dyfishuar rezultatin me Sterling, por lojtari i Manchester City u tregua egoist në kulm. Në rastin e parë u kap në pozicion jashtë loje nga vijërojtësi, ndërsa në të dytin ai nuk pasoi për Kane, por gjuajti vetë dhe topi doli në këndore.

Një nisje e mirë e pjesës së dyta nga Suedia, e cila që në dy minutat e para të pjesës së dytë kërkoi që të ndryshonte pamjen e asaj që shfaqi në pjesën e parë. Në minutën e 47 Berg gjuajti, por sfera u ndal në mur, ndërsa në minutën e 48 opsioni më i mirë i nordikëve u ndal nga një ndërhyrje e portierit Pickford.

Loja e anglezëve pothuajse ishte e përgjumur në dhjetë minutat e para, megjithatë, ata nuk u dorëzuan, teksa arritën që të krijonin raste të rrezikshme për të dyfishuar shifrat. Një aksion i gjatë në ofensivë nga “Tre Luanët” në fund u konkretizua me një krosim nga Lingard, ku Dele Alli arriti që të gjuajë me kokë dhe të dërgojë në rrjetë topin, 0-2! Anglia në festë në minutën e 58 të sfidës!

Anglezët do të ndeshen në gjysmëfinale me fituesen e përballjes së mbrëmjes Rusi-Kroaci.