Angli/ Mashtrimi me moshën, emigrantëve skaner të dhëmbëve dhe kockave

Emigrantët duhet të bëjnë skaner të dhëmbëve me rreze X për të vërtetuar moshën e tyre, në këtë mënyrë ata nuk do të gënjejnë duke pretenduar se janë nën moshë dhe të kërkojnë azil.

Daily Telegraph shkruan se një komitet ekspertësh në Ministrinë e Brendshme Britanike ka propozuar të futen në përdorim rrezet X në dhëmballët e pjekurisë, skanim në kockat e duarve, të kyçit të dorës, në gjunjë dhe në kafazin e kraharorit, si mënyra më e besueshme për të vërtetuar se një azilkërkues nuk po gënjen me moshën e tij.

Ekspertët thanë se nuk përjashtohet mundësia e një “rreziku të vogël” nga rrezet X, por përfitimet nga të mësuarit moshën e azilkërkuesve do të jetë më i madh, për të siguruar që fëmijët të identifikoheshin dhe mbroheshin nga të rriturit që gënjejnë për moshën e tyre.

Propozimet e vendosin Britaninë në përputhje me vendet e BE-së dhe SHBA-në, të cilat përdorin metoda të ngjashme.

Testet pritet të përdoren vetëm për ata që dyshohet se kanë gënjyer për moshën e tyre për të hyrë në Britani.

Skaneri tregon pjekurinë e sistemit skeletor të një fëmije duke krahasuar imazhet me një bazë të dhënash të fëmijëve të së njëjtës gjini dhe moshë.

Kjo pasi aty ku pretendimi i një azilkërkuesi për të qenë nën 18 vjeç vihej në dyshim nga Zyra e Brendshme, 52.5 për qind gjatë pesë viteve të fundit ishin mbi 18.

Propozimet e mëparshme për të përdorur rreze X dentare për të verifikuar moshën e emigrantëve kanë nxitur kritika nga mjekët të cilët thonë se ato janë të pasakta dhe se është joetike të merren radiografi të njerëzve pa përfitim shëndetësor.

Metodat e reja biologjike mund të futen brenda 12 deri në 18 muaj. Komiteti rekomandoi një përzierje metodash në varësi të moshës dhe gjinisë. Rrezet X e dhëmbëve ishin “të dobishme” për djemtë dhe vajzat deri në 18 vjeç, ndërsa skanimet e duarve ose gjunjëve ishin më të mirat për vajzat deri në 16 vjeç dhe djemtë deri në 18 vjeç.