Angela Merkel: S’ka shanse të rrëzohet qeveria

Çështja e emigrantëve nuk do ta përçajë qeverinë gjermane. Kancelarja Merkel ka dhënë garancinë e saj në një intervistë televizive, ku ka deklaruar se debatet janë diçka normale në një aleancë multipartiake.

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka shuar çdo dyshim mbi ekzistencën e koalicionit qeverisës, duke deklaruar se ai do ta përfundojë mandatin 4-vjeçar. Reagimi i Merkel vjen pak ditë pas debatit politik mbi emigracionin me aleatët e saj bavarezë, që i dhanë ultimatum për një zgjidhje europiane, në të kundërt do të rrëzonin qeverinë.

Në një intervistë televizive të mërkurën, kancelarja ka deklaruar se debati nuk e vë në rrezik stabilitetin e mazhorancës së saj.

“Nuk mund të premtoj se nuk do të ketë debate për emigracionin apo çështje të tjera. Kjo është normale në një qeveri ku bëjnë pjesë tre parti të ndryshme”, ka thënë Merkel për ARD.

Megjithatë, gruaja e hekurt e Europës ka pranuar se bisedimet me partnerët kanë qenë të vështira, por edhe shumë emocionale, raporton Abc.

“Por unë do të bëj pjesën time për t’u siguruar që t’i bëjmë si duhet detyrat e qeverisë jo vetëm tani, por edhe në vitet në vazhdim”, ka thënë Merkel. Sidoqoftë, çështja e emigracionit është ende larg së qenurit e zgjidhur. Qasja e zgjedhur nga kancelarja për të frenuar azilkërkuesit është pritur me skepticizëm nga partnerët e saj, që kanë deklaruar se duhen kohë dhe bisedime për të konvertuar masat konservatore kundër emigracionit në një paketë ligjesh të arsyeshme.