Angela Merkel: Jam gati ti jap Turqisë ndihmë shtesë për refugjatët

Ne jemi gati për një ndihmë shtesë financiare ndaj Turqisë, e cila ka marrë përsipër një përgjegjësi të madhe duke u kujdesur për 3,5 milionë sirianë, tha kancelarja gjermane, Angela Merkel pas takimit në Zagreb me homologun e saj kroat.

Me homologun e saj kroat Andrej Plenkoviç kancelarja gjermane u takua në kryeqytetin e Kroacisë, Zagreb, ku ajo kishte shkuar për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Partisë Popullore Evropiane (EPP).

Merkel tha në një konferencë të përbashkët shtypi pas takimit se Kroacia dhe Gjermania do të ndajnë vitin e ardhshëm Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian (BE) dhe vendi i saj do ta mbështesë Kroacinë gjatë presidencës së radhës.

Merkel tha se problemet që do të zgjidheshin gjatë presidencës kroate do ta ndihmonin Gjermaninë, pra, të dyja vendet do të punonin së bashku në këtë drejtim, raporton TRT.

Kancelarja gjermane nënvizoi se vendi i saj e mbështet objektivin e Kroacisë për futjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

“Ne duhet të plotësojmë parakushtet për rinisjen e procesit të negociatave me Maqedoninë e Veriut”,- u shpreh ajo.

Duke theksuar se procesi i pranimit të vendeve të Ballkanit në BE duhet të ketë një perspektivë më realiste, Merkel tha se mosmbajtja e premtimeve do të ketë pasoja të këqija.

Merkel gjithashtu foli edhe për problemet me migrantët e parregullt në kufirin kroat.

“Gjermania, si një vend që duhet të mbrojë kufijtë e saj të jashtëm, është një vend që ka përvojë në fushën e azilkërkuesve dhe emigrantëve, por ajo ndodhet në mes të zonës së Shengenit dhe kjo gjë e bën më specifike situatën”,- nënvizoi ajo.

Duke deklaruar se i kushtojnë shumë rëndësi mbrojtjes së Zonës Shengen, Merkel tha: “Unë jam gati për ti dhënë një ndihmë financiare shtesë Turqisë, e cila po mban një barrë të madhe në këtë çështje”.

Pasi rikujtoi se presidencën e radhës të BE-së në gjysmën e parë të vitit 2020 do të mbajë Kroacia dhe në gjysmën e dytë Gjermania, kryeministri kroat Plenkoviç tha se para samitit BE-Evropa Juglindore, që planifikohet të mbahet në maj, duhet gjetur një zgjidhje për proceset e bllokuara për hapjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe se vendi i tij do të bëjë më të mirën e mundshme për këtë.