Angela Merkel e kënaqur nga marrëveshja për emigrantët në samitin e BE-së

"Pas diskutimeve intensive, besoj se është një mesazh i mirë pranimi i një teksti të përbashkët në çështjen më të rëndësishme për BE-së", ka theksuar Merkel

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se ajo beson se është një mesazh i mirë pranimi i një teksti të përbashkët në Samitin e BE mbi një çështje të rëndësishme, si migracioni, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Pas diskutimeve intensive, besoj se është një mesazh i mirë pranimi i një teksti të përbashkët në çështjen më të rëndësishme për BE-së”, ka theksuar Merkel e cila ka shprehur kënaqësinë për arritjen e një dakordimi në një deklaratë të bërë këtë mëngjes pas bisedimeve në çështjen e migracionit në Samitin e Liderëve të BE-së të mbajtur në Bruksel.

Pasi ka bërë të ditur se “pak a shumë” kanë arritur dakordim në 5 rregullore për një sistem të përbashkët evropian të azilit, por se ende janë në mungesë dakordësimi për 2 rregullore, Merkel tha se “Duhet të bëhen edhe shumë gjëra për të tejkaluar pikëpamjet e ndryshme. Por jam optimiste se pas ditës së sotme do të mund të vazhdojmë punimet”.

BE-ja në lidhje me refugjatët jashtë BE-së do të punojë me Komisionerin e Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët dhe organizatat ndërkombëtare që punojnë në këtë fushë si dhe do të veprojnë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare tha Merkel.

Po ashtu Merkel ka shpjeguar se ajo vetë i kushton rëndësi faktit se duhet të punohet bashkë me vendet afrikane në këtë fushë.

Kancelarja gjermane ka deklaruar se deri në vitin 2020 do të rritin edhe më shumë mbështetjen për Agjencinë e Sigurisë Kufitare të BE-së (Frontex), kryerjen e pagesës së dytë për Turqinë e cila ka bërë shumë përpjekje për refugjatët dhe se janë dakorduar që të përmirësojnë financiarisht Fondin Afrikan.

Merkel tha se po diskutohen gjithashtu, statusi i azilkërkuesve në vendet e BE-së, të cilat janë përshkruar si “lëvizje sekondare të azilkërkuesve”, ku ajo ka shtuar se “Gjithkush duhet të respektojë rregullat. Prandaj u përcaktua që kjo çështje duhet të rregullohet dhe kontrollohet “.

Ndër të tjera ajo bëri të ditur se asnjë refugjat nuk ka të drejtë të zgjidhë ndonjë vend në BE ose në rajonin e Shengenit për të kaluar nëpër procesin e azilit.

Nga ana tjetër, Merkel vuri në dukje se azilkërkuesit duhet të tregohen solidar me vendet ku hyjnë për herë të parë, çështje kjo për të cilën janë përjetuar shumë debate.