“Andrea” godet Ballkanin. Në disa shtete shpallet gjendja e jashtëzakonshme

Një përkeqësim i kushteve atmosferike, me shira të rrëmbyer dhe erëra të forta, ka goditur pjesë të Ballkanit Perëndimor, ku në disa rajone është shpallur gjendja e emergjencës nga përmbytjet.

Një përkeqësim i kushteve atmosferike, me shira të rrëmbyer dhe erëra të forta, ka goditur pjesë të Ballkanit Perëndimor, ku në disa rajone është shpallur gjendja e emergjencës nga përmbytjet.

Më kritike situata duket në veriperëndim të Bosnje-Hercegovinës, ku vërshimi i ujërave kërcënon disa fshatra. Paralajmërime janë lëshuar edhe në Serbi e Kroaci, ndërsa po shihet me kujdes situata e lumenjve të mëdhenj, duke nisur nga Danubi e Sava.

Parashikimet se stuhia “Andrea” pritet të çojë në Shkup reshje prej 50 deri 80 milimetra për metër katror detyruan Qendrën e Krizave të mblidhet në një takim urgjent të drejtuar nga Dushko Veskovski, drejtori i NP “Ujësjellësi dhe kanalizimi”, ku u diskutua koordinimi i aktiviteteve dhe u caktuan detyrat mes ndërmarrjeve publike, brigadës së zjarrfikësve e shërbimeve të inspektimit.

Përpara mbërritjes së stuhisë, – thonë burime në kryeqytetin maqedonas, – po kontrollohen pusetat dhe kanalet e kullimit, ndërsa banorët janë këshilluar të mos parkojnë poshtë pemëve. Shi e stuhi parashikohen përgjatë të gjithë javës edhe në Kosovë, ku temperaturat maksimale pritet të shënojnë ulje me deri në 7 gradë, e ku mund të ketë edhe shkarkime rrufesh.

Moti i keq shkaktoi dy viktima gjatë fundjavës në Itali, në zonën e Brescias. Përkeqësimi i situatës, sipas shtypit italian i detyrohet një fronti të ftohtë, të zbritur nga Europa e Veriut, ndërsa ashpërsimi i kushteve atmosferike në disa rajone të fqinjit të përtej Adriatikut është shoqëruar me erëra të dhunshme dhe breshër,raporton Top Channel.