Ambasadorja amerikane kujton deklaratën e DASH për Tom Doshin ‘non grata’: Votuesit e Shqipërisë meritojnë më mirë

Ambasadorja e SHBA-ve ka folur sot me emra...

Ambasadorja e SHBA-ve ka folur sot me emra. Nga paralajmërimi për listë të pastra, ditën e sotme është ndalur tek emrat konkret, siç është rasti i deputetit Tom Doshi. Ambasadorja ka risjellë në vëmendje vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili ka shpallur ‘non-grata’ Doshi, ku i ndalohet hyrja për në SHBA.

Përmes një postimi në ‘Twitter’ diplomatja ka dhënë mesazhin e saj të prerë që Doshi mos të kandidojë për zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa shtoi se votuesit e Shqipërisë meritojnë më mirë.

“Ndërsa autoritetet zgjedhore të Shqipërisë përgatisin zgjedhjet, ia vlen të kujtohet ky emërim, i bërë nga Sekretari i Shtetit i SHBA-së pas shqyrtimit të kujdesshëm të informacionit. Me siguri, votuesit e Shqipërisë meritojnë më mirë”, shprehet Kim.

Kujtojmë se në vitin 2018 Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli Doshin të papërshtatshëm për të hyrë në SHBA, për shkak se akuzohet për korrupsion.