Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Türkiye (ATTSO) ka organizuar në Tiranë takimin konsultativ “ATTSO Talks” me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të biznesit turk dhe shqiptar në Shqipëri dhe përfaqësuesve të institucione turke dhe shqiptare, raporton Anadolu Agency (AA).
“Ajo që ishte një lidhje shpirtërore tashmë u kthye në një lidhje reale strategjike”
Ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, duke folur në aktivitet për lidhjet mes dy vendeve, tha se i ka ndjerë përpara se të vijë në Shqipëri lidhjet e forta mes dy vendeve, duke i konsideruar dy popujt si dy popuj të afërt.
“Shqipëria dhe Türkiye janë dy popuj të cilët kanë lëvizur ndër vite së bashku dhe për këtë arsye jam shumë i lumtur. Përveç gjuhës, pothuajse kemi të gjitha të përbashkëtat, historinë, mënyrën si e shohim jetën, mënyrën e jetesës. Ne e shohim si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin me Shqipërinë dhe e shohim si vend strategjik”, tha Atay.
Ambasadori turk shtoi se ATTSO ka një rol kyç dhe shumë të rëndësishëm në afrimitetin mes dy vendeve. “E mësova me kënaqësi që 70 për qind e anëtarëve të ATTSO janë shqiptarë, pra nga Shqipëria”, tha ai.
Duke folur për partneritetin strategjik mes dy vendeve, Atay tha se “ajo që ishte një lidhje shpirtërore tashmë u kthye në një lidhje reale strategjike. Sigurisht që partneriteti strategjik ka në fokus shumë tema të rëndësishme, ndër to janë investimet kryesore. Ne në të gjithë aspektet, qoftë në botën shqiptare qoftë në botën turke kërkojmë që ta shfrytëzojmë në kuptimin e mirë gjithë këtë lloj mundësie që kemi”.
Ambasadori Atay shtoi se shpresojnë që këtë vit të arrijnë në 1 miliard dollarë të ndërveprimit ekonomik të përbashkët, dhe shtoi se kjo shifër duhet të rritet sa më shumë. “Shqipëria është një shtet shumë i veçantë. Kur shohim vendet e Evropës Juglindore, të ardhmen e Shqipërisë e shohim shumë të ndritur”, tha ambasadori turk, duke shtuar se urojnë që Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Evropian(BE).
“ATTSO i jep një rëndësi shumë të madhe marrëdhënieve shqiptaro-turke”
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Türkiye (ATTSO), Bilal Kara, u shpreh se ATTSO ka një rol shumë të posaçëm për të rritur tregtinë ndërkombëtare.
“Ashtu siç dihet kemi një lidhje të shkuar të fortë historike dhe shpirtërore ndërmjet Shqipërisë dhe Türkiye-s. Në të njëjtën kohë, bazuar edhe në këto lidhje, vitet e fundit Shqipëria ka arritur të rrisë me sukses tërheqjen e investitorëve turq në vend”, tha Kara.
Duke folur për bashkëpunimin e ndërsjellë ekonomik, ai tha shpresojnë që ky ritëm të rritet sa më shumë dhe të kalojë 1 miliard dollarë.
“Edhe ne si ATTSO i japim një rëndësi shumë të madhe marrëdhënieve shqiptaro-turke. Shpresojmë që së bashku do t’i kalojmë më thjeshtë problemet që kemi të përbashkëta”, tha Kara.