Ambasadori i Shqipërisë në Ankara, Kastriot Robo, gjatë kohës së qëndrimit në shtëpi në kuadër të masave kundër koronavirusit të ri (COVID-19), po vlerëson kohën duke e mësuar turqishten bashkë me familjen.
Robo i cili detyrën në Turqi e filloi pasi i dorëzoi letrat kredenciale tek presidenti, Recep Tayyip Erdoğan, më 10 mars, në deklaratën për Anadolu Agency (AA) tregoi se si e vlerëson kohën në Ankara në një kohë kur askush nuk del jashtë përveç nëse nuk është e detyrueshme dhe solidaritetin që Turqia dhe Shqipëria kanë shfaqur kundër pandemisë.
Ai theksoi se pandemia COVID-19 ka krijuar një anomali të plotë për të gjithë botën, duke treguar se të gjithë janë fokusuar në luftën kundër pandemisë me sa më pak humbje dhe më pak kosto.
“Jemi të kënaqur nga përmirësimi i situatës, përderisa ndjekim nga afër masat e ndëmarra nga qeveria turke dhe rekomandimet e presidentit Recep Tayyip Erdoğan. E vlerësoj shumë qeverinë turke për shkak të mbështetjes ndaj shumë shteteve të prekura nga pandemia si në Ballkanin Perëndimor, SHBA, Britani të Madhe, Spanjë, Itali, Afrikë dhe Amerikën Latine. Me këtë rast dua të shpreh mirënjohjen e Qeverisë së Shqipërisë për lejen e eksportit të produkteve mjekësore të Turqisë për Shqipërinë, në luftën kundër pandemisë”, tha Robo duke vlerësuar luftën e Turqisë me pandeminë dhe hapat e bashkëpunimit.
– “Përderisa qëndrojmë në shtëpi mësojmë turqisht”
Robo më tutje shpjegon se Minsitria e Jashtme e Turqisë tregon vëmendje dhe kujdes ndaj misioneve të akredituara në Republikën e Turqisë, personelit diplomatik dhe familjet e tyre. “Brenda këtyre kushteve në të cilat nevojitet të qëndrojmë në shtëpi, meqënëse sapo kemi ardhur në Ankara, kohën më të madhe të familjes po e kalojmë për ta mësuar turqishten. Këtë e bëjmë duke përdorur metoda interaktive të ofruara nga teknologjia e sotme dixhitale. Shpresojmë të avancojmë në mësuarjen e gjuhës”, u shpreh ai.
Ambasadori shqiptar shpjegon se gjatë kësaj periudhe vazhdon të lexojë libra dhe të shkruaj. “Në të njëjtën kohë, edhe ndjekja e zhvillimeve të brendshme dhe të jashtme rajonale janë një pjesë e rutinës. Jemi në kontakt të afërm me kolegët në Ministrinë turke të Jashtme dhe ata të akredituar në Ankara”, tha Robo.
Ai më tutje tha se ambasada gjithmonë është në kontakt me shtetasit shqiptarë dhe i mbështet ata. “Nëpërmjet rrjeteve sociale, bisedave të panumërta telefonike i njoftuam shtetasit tanë dhe mbështetëm dërgimin e shumicës së tyre në vendin tonë. Treguam kujdes dhe interes të veçantë për studentët shqiptarë që studiojnë në Turqi. Operacioni i fundit i kthimit ndodhi më 5 maj nga Stambolli nëpërmjet Air Albania”, theksoi ambasadori shqiptar në Anakara.
“Shpresoj dhe besoj që së shpejti të gjithë ne do të kthehemi në normale”, shtoi Robo.