Ambasada e Shqipërisë në Ankara pritje për Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë

"Turqia, ka qenë gjithmonë një mbrojtës global i çështjes shqiptare. Por, krahas marrëdhënieve të shkëlqyera politike, ne kemi për qëllim edhe rritjen e marrëdhënieve ekonomike", tha Gazheli

Ambasada e Shqipërisë në Ankara organizoi një pritje me rastin e Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në pritjen e organizuar me rastin e “Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë” në Sheraton Hotel nga ambasadori i Shqipërisë në Ankara, Genti Gazheli morën pjesë ministri turk i Bujqësisë dhe Pyjeve, Bekir Pakdemirli, Shefi i Shtabit Gjeneral Yaşar Güler, përfaqësues të misioneve dhe të ftuar të tjerë.

Ambasadori Gazheli në fjalën e tij vuri në dukje se vizitat e ndërsjella të nivelit të lartë janë dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera mes Turqisë dhe Shqipërisë. “Turqia, ka qenë gjithmonë një mbrojtës global i çështjes shqiptare. Por, krahas marrëdhënieve të shkëlqyera politike, ne kemi për qëllim edhe rritjen e marrëdhënieve ekonomike”, tha ai.

Ndërsa ministri Pakdemirli ka nënvizuar lidhjet e forta të miqësisë të bazuara në historinë e përbashkët mes Shqipërisë dhe Turqisë, si dhe ka theksuar se edhe lidhjet njerëzore janë elementi më aktual që lidh dy vendet me njëra tjetrën.

Pasi ka tërhequr vëmendjen se në Turqi janë në miliona qytetarët me origjinë shqiptare, Pakdemirli tha se shoqëria turke në Shqipëri dhe qytetarët me origjinë shqiptare në Turqi kanë funksionin e urës humanitare mes dy vendeve.

“Mes dy vendeve është forcuar edhe bashkëpunimi kulturor, ekonomik dhe politik”, tha Pakdemirli duke shtuar se Turqia me projekte të ndryshme nëpërmjet institucioneve si TIKA dhe Qendrës Kulturore Yunus Emre ofron mbështetje për mbrojtjen dhe restaurimin e veprave historike të cilat vërtetojnë trashëgiminë e pasur kulturore të Shqipërisë.

“Siguria në Ballkan është një nga çështjet që Turqia i kushton gjithmonë prioritet. Dialogu i frytshëm mes dy vendeve tona, është i një rëndësie të madhe për ndërtimin e sigurisë në rajonin tonë. Në këtë kontekst, ne besojmë se edhe në periudhën e ardhshme do të vazhdojë të rritet mbështetja që Shqipëria vendi mik, vëlla dhe aleat ka dhënë ndaj vendit tonë në punimet për eliminimin e FETO-s e cila më 15 korrik 2016 vendosi në objektivin e saj demokracinë dhe kushtetutën tonë dhe e cila u kushtoi me jetë një numri të madh të qytetarëve tanë”, tha ai.

“FETO është një organizatë që kërcënon jo vetëm vendin tonë, por sigurinë dhe integritetin e të gjithë vendeve të rajonit tonë, duke përfshirë edhe Shqipërinë”, theksoi Pakdemirli duke vlerësuar se ka një potencial të madh për të zhvilluar bashkëpunimin tregëtar dhe ekonomik mes dy vendeve.