Ambasada e SHBA-ve thirrje për pezullim të taksave për Serbinë dhe BeH-n

SHBA-të, thuhet në kumtesën e lëshuar, mbështesin plotësisht dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të udhëhequr nga BE-ja

Pezullimi i menjëhershëm i taksave për importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina (BeH) është një nga masat e nevojshme për të rikthyer vrullin në procesin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, thuhet në një njoftim të ambasadës amerikane në Prishtinë, raporton Anadolu Agency (AA).

SHBA-të, thuhet në kumtesën e lëshuar, mbështesin plotësisht dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të udhëhequr nga Bashkimi Evropian (BE).

“Një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe me dobishmëri të ndërsjellë është në interesin strategjik të SHBA-ve”, thuhet më tej.

Në kumtesë përkujtohet letra e presidentit amerikan, Donald Trump, drejtuar presidentit kosovar, Hashim Thaçi, ku Trump nxit udhëheqësit e Kosovës që të shfrytëzojnë këtë moment unik, të flasin me zë të unifikuar gjatë bisedimeve të paqës dhe të përmbahen nga veprimet që mund ta bëjnë më të vështirë arritjen e një marrëveshjeje.

“Disa komentatorë dhe politikanë sugjeruan që statusi i Kosovës si shtet i pavarur, sovran dhe afërsisht i rreshtuar me SHBA-të, do ta mbroj atë nga të gjitha pasojat e vendimeve të tij në arenën ndërkombëtare. Ne këshillojmë kundër të supozuarit se Kosova apo cilido mik tjetër i SHBA-ve mund të ndërmarrë veprime që janë kundër interesave tona strategjike, pa u ballafaquar me pasojat për marrëdhënien tonë bilaterale”, thuhet në komunikatë.

Ambasada amerikane i referohet edhe historisë së re, e cila sipas saj ka treguar se Kosova është e suksesshme kur bashkohet nga brenda dhe hyn në partneritet me SHBA-të dhe BE-në.

“Ne inkurajojmë të gjitha partitë politike që të kontribuojnë në mënyrë konstruktive në këtë proces. Veprimet që minojnë dialogun, pengesat nga anash dhe refuzimi për të pezulluar tarifat, të gjitha këto shkojnë kundër interesave të SHBA-ve”, qëndron në letër.

“Ajo çka është e nevojshme tani është një lidership i guximshëm për të promovuar qëllimet tona të përbashkëta. Kjo është ajo që na ndihmon neve për të mbajtur një marrëdhënie të fortë bilaterale”, përfundon apeli i Ambasadës amerikane në Kosovë.