Ambasada e SHBA reagon për bllokimin e Shkollës së Magjistraturës

 I ngarkuari me punë në ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë David Muniz, e konsideroi sot “një dështim i të gjitha partive në Parlament”, moskalimin dje në seancën e fundit parlamentare për këtë sesion, të ndryshimeve ligjore që do të sillnin zhbllokimin e regjistrimit të studentëve të rinj për këtë vit akademik në Shkollën e Magjistraturës dhe emërimin e të porsa diplomuarve.

I ngarkuari me punë në ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë David Muniz, e konsideroi sot “një dështim i të gjitha partive në Parlament”, moskalimin dje në seancën e fundit parlamentare për këtë sesion, të ndryshimeve ligjore që do të sillnin zhbllokimin e regjistrimit të studentëve të rinj për këtë vit akademik në Shkollën e Magjistraturës dhe emërimin e të porsadiplomuarve.

Në përgjigje të interesimit të “Zërit të Amerikës”, Muniz u shpreh se bëhej fjalë për “një amendim të thjeshtë të Ligjit për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve për të përmbushur një kërkesë bazë të një sistemi drejtësie funksional, i cili lejon që studentë të rinj të hyjnë në Shkollën e Magjistraturës. Shkolla e Magjistraturës përgatit brezin e ardhshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve të Shqipërisë – jashtë ndikimit politik – në mënyrë që shqiptarët më në fund të gjejnë drejtësi në gjykatat e tyre. Politikanët shqiptarë, – vijoi më tej i ngarkuari me punë në ambasadën amerikane, – kishin mundësinë ta ndërmerrnin këtë hap të thjeshtë përpara dhe të hapnin dyert për një klasë të re studentësh, por nuk e bënë këtë”. Sipas tij “procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve po ecën më shpejt, dhe Shqipëria ka nevojë për gjyqtarë dhe prokurorë të rinj që do të mbrojnë sundimin e ligjit. Me sa duket, politikanët kanë frikë nga sundimi i ligjit dhe prandaj nuk punuan sëbashku për të mbështetur Shkollën e Magjistraturës dhe reformën në drejtësi”, përfundon reagimi i të ngarkuarit me punë të ambasadës amerikane. /VOA/