Kreu i Drejtorisë së Komunikimeve pranë Presidencës së Türkiye-s, Fahrettin Altun, tha se Türkiye ka ndërmarrë hapa konkretë drejt adresimit të nevojës së saj për energji në një mënyrë të përgjegjshme dhe të qëndrueshme, pavarësisht nga fushatat e shpifjeve të disa vendeve, raporton Anadolu Agency (AA).
“Ndërkohë, përkundër kësaj fushate të shpifjeve, Türkiye ka ndërmarrë hapa konkretë drejt adresimit të nevojës së saj për energji në një mënyrë të përgjegjshme dhe të qëndrueshme”, tha Altun.
“Unë jam krenar të them se shumica e energjisë elektrike vjen nga burimet e rinovueshme sot. Ne do të vazhdojmë të investojmë në energjinë e rinovueshme, duke përfshirë energjinë e erës, diellit dhe energjinë gjeotermale, për të reduktuar varësinë tonë nga jashtë, për të diversifikuar burimet tona dhe për të përfituar nga burimet që Zoti ia ka dhënë shtetit tonë”, tha Altun në Forumin e AA-së për Mjedisin në Istanbul.
Forumi njëditor synon të trajtojë çështje siç janë nevoja për të krijuar një gjuhë të re mediatike për çështjet mjedisore dhe klimatike, rritja e ndërgjegjësimit global nga agjencitë ndërkombëtare të lajmeve, detyrat e mediave tradicionale dhe të reja, si dhe ndjekja e ndërgjegjësimit mjedisor në lajme.
Altun tha se disa qeveri dhe grupe janë përpjekur të shfrytëzojnë shqetësimet mjedisore për të çuar përpara agjendat e tyre përkatëse.
“Disa qeveri të huaja, të cilat janë të frustruara me progresin ekonomik të Türkiye-s dhe ndikimin në rritje në pjesët kyçe të botës, kanë sponsorizuar një fushatë dezinformimi kundër energjisë bërthamore dhe formave të tjera të energjisë së pastër”, tha Altun, duke shtuar:
“Është sigurisht ironike që disa nga ato qeveri tani po ndryshojnë politikën e tyre dhe, megjithatë, u thonë fëmijëve të veshin palltot e tyre në klasë sepse nuk mund t’i ngrohin klasat e tyre” tha ai.
– “Türkiye e përkushtuar për të ndërmarrë hapa për të mbrojtur mjedisin”
Altun tha se vendet e zhvilluara, të cilat mbajnë përgjegjësi historike për ngrohjen globale, vazhdojnë të gëzojnë pandëshkueshmërinë, në kurriz të së drejtës së vendeve në zhvillim për zhvillim ekonomik dhe social.
Ai theksoi se Türkiye është e përkushtuar të marrë të gjitha hapat e nevojshëm për të mbrojtur mjedisin, pavarësisht se përballet me shumë pengesa brenda dhe jashtë vendit.
“Përveç mbjelljes së miliarda pemëve, vendi ynë nisi iniciativën Zero Mbeturina (Zero Waste) për të rritur ndërgjegjësimin dhe promovimin e riciklimit. Më në fund, duke ratifikuar Marrëveshjen e Parisit vitin e kaluar, Türkiye mbetet e angazhuar të bëhet neutrale në përdorimin e karbonit në kohën e duhur”, tha Altun.
Altun paralajmëroi se dezinformimi është një “kërcënim veçanërisht serioz” kur bëhet fjalë për mjedisin.
Ai kujtoi se parlamenti turk miratoi ligjin për mediat sociale, një hap kyç në luftën kundër dezinformimit dhe fushave të ndikimit të huaj.
“Ky hap i fundit bazohet në masat e marra më parë për të siguruar që kompanitë e mediave sociale të respektojnë ligjet e vendit tonë dhe të kërkojnë disa transmetues në internet, të cilët veprojnë në emër të qeverive të huaja, që të marrin licencën dhe lejet e nevojshme”, tha Altun.
– Altun duartroket nisjen e platformës “Linja e Gjelbër” nga AA
Më tej, Altun tha se Ankaraja do të vazhdojë të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme për të mbrojtur popullin turk kundër dezinformimit, operacioneve psikologjike dhe fushave të ndikimit.
Duke theksuar se ka një pasqyrim të pamjaftueshëm të mjedisit dhe klimës në media, ai tha se, “Në këtë drejtim, unë duartrokas AA-në, burimin kryesor të lajmeve në vendin tonë, për nisjen e ‘Linjës së Gjelbër’ për të raportuar mbi mjedisin, që është një fushë që qeveria jonë ka ndërmarrë hapa të mëdha dhe ka bërë arritje të rëndësishme”.
Ai tha se ka besim se ky projekt jo vetëm që do të rrisë ndërgjegjësimin për mbrojtjen e mjedisit në sferën publike, por gjithashtu do të japë një përgjigje kuptimplotë ndaj atyre grupeve që kanë shfrytëzuar mjedisin për përmbysje.
Duke falënderuar AA-në për organizimin e Forumit të Mjedisit për të reflektuar mbi rolin e medias në epokën e ndryshimeve klimatike, Altun tha se, “Lutem që kjo ngjarje të lehtësojë një dialog kuptimplotë dhe produktiv mbi rolin dhe përgjegjësitë e medias në këtë moment kritik”.