Allegri: Juventusi do të zgjedhë një trajner të madh

"Nuk e di kush do të më zëvendësojë, por Juventus do të zgjedhë një trajner të madh, sepse ky është një klub i madh. Ishin pesë vite të një dashurie të jashtëzakonshme”, tha Allegri

Pas lajmit se Massimiliano Allegri nuk do të jetë në stolin e Juventusit sezonin e ardhshëm, deklaroi se kishte kaluar pesë vjet të bukura në Torino, ndërkohë që u shpreh i bindur se klubi do të sjell në vend të tij një trajner të madh, transmeton Anadolu Agency (AA).

Juventusi përmes një kumtese të premten bëri të ditur se Allegri nuk do të jetë trajner i ekipit në stinorin 2019/2020.

“U nevojitën pesë vjet për të ndërtuar këtë Juventus, megjithatë kështu e ka kjo punë. Jeta vazhdon, koha vazhdon të ecën. Tani do të shkoj në shtëpi, do të pushoj pak buzë detit. Nuk e di kush do të më zëvendësojë, por Juventus do të zgjedhë një trajner të madh, sepse ky është një klub i madh. Ishin pesë vite të një dashurie të jashtëzakonshme”, tha Allegri për mediat italiane.

Juventus ka paralajmëruar një konferencë për mediat sot, në të cilën do të flasin Allegri dhe presidenti i klubit Andrea Agnelli.

Që nga ardhja në stolin e “zonjës së vjetër”, Allegri ka fituar pesë tituj radhazi të kampionit të Italisë, katër Kupa dhe dy Super Kupa. Dy herë arriti në finalen e Ligës së Kampionëve, por dështoi të triumfojë, që për shumë njohës është arsyeja për ndërprerjen e bashkëpunimit.