Aliyev: Malësia e Karabakut është territor i Azerbajxhanit dhe kjo është e vërteta

"Karabaku është i yni, Karabaku është Azerbajxhan. Armenia është një shtet pushtues dhe duhet t'i japë fund këtij pushtimi", tha Aliyev

Presidenti i Azerbajxhanit, İlham Aliyev deklaroi se si pasojë e sulmit të filluar nga Armenia ka dëshmorë dhe të plagosur, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pas sulmit që Armenia filloi mëngjesin e sotëm kundër Azerbajxhanit, Aliyev mbajti një fjalim duke iu drejtuar popullit.

“Si pasojë e sulmit të filluar nga Armenia ka dëshmorë dhe të plagosur. Gjaku i dëshmorëve tanë nuk do të lihet pa u marrë. Kemi shkatërruar mjetet ushtarake të ushtrisë armene”, tha Aliyev duke rikujtuar se Armenia ka filluar sulm kundër Azerbajxhanit.

Ai tha se sulmet e Armenisë kundër Azerbajxhanit janë bërë të vazhdueshme. “Në korrik u dëmtuan civilët tanë dhe një shtëpi si pasojë e goditjeve artilerike të kryera në kufirin shtetëror Armeni-Azerbajxhan në drejtim të Tovuzit. Ky është tregues i fashizmit armen në të ardhmen”, tha Aliyev.

Duke nënvizuar se dihet nga të gjthë që sulmet janë filluar nga Armenia, Aliyev shtoi se “Edhe të vdekurit e parë kanë qenë shtetas të Azerbajxhanit. Por, Azerbajxhani ka dhënë përgjigjen e nevojshme dhe ata nuk kanë mundur të përparojnë asnjë centimetër. Armiku u zbraps dhe sovraniteti ynë territorial u ruajt”.

Aliyev thekson se “Azerbajxhani ka fuqinë e mjaftueshme të transferojë luftën në territoret e Armenisë. Por, ne nuk kemi objektiva ushtarake në territoret e Armenisë e cila në objektivat e saj të para ka pushtimin e territoreve të Azerbajxhanit. Qëllimet e tyre politike janë të dobësojnë Azerbajxhanin me pushtime të reja. Ata kryejnë politikë okupuese”.

Më tej Aliyev potencoi se Armenia po përpiqet të mbulojë problemet ekonomike dhe sociale që ka në vendin e saj. “Armenia po bën çfarë të mundet për të prishur procesin e bisedimeve. Mund të them që edhe e kanë filluar këtë. Bisedimet kanë ndaluar për shkak të qëndrimit me dy fytyra dhe jokonstruktive të Armenisë”, tha Aliyev.

“Armenia dëshiron të prishë bisedimet” 

Aliyev tha se Armenia ka dërguar grupe separatiste në Azerbajxhan. “Ky grup në fjalë u kap nga policia azerbajxhanase. Deklaratat e personave në fjalë tregojnë në mënyrë të qartë se ky grup separatist ka ardhur në Azerbajxhan për të kryer akte terroriste kundër civilëve. Sot Armenia ka bërë një provokim të ri kundër civilëve dhe ushtarëve tanë. Ndëshikimin e kësaj e morën dhe do ta marrin. Armenia përdor kundër Azerbajxhanit terroristë nga vende të ndryshme. Armenia është një shtet që financon terrorizmin”.

Pasi ka rikujtuar deklaratat e zyrtarëve armenë se “Karabaku është i Armenisë”, presidenti Aliyev vuri në dukje se “Kjo është gënjeshtër. Karabaku është i Azerbajxhanit. Deklarata të tilla dëmtojnë procesin e bisedimeve. Qëllimi i Armenisë është të prishë procesin e bisedimeve dhe të ruajë ‘status-quo’-në aktuale. Ndërkohë liderët e vendeve të Grupit të Minskut kanë thënë disa herë se ‘staus-quo’-ja nuk do të mund të ruhet. Kjo nënkupton se okupimi duhet të marrë fund”, tha ai.

Presidenti azer nënvizoi se zyrtarët armenë kanë bërë deklarata për formimin e grupeve ushtarake “vullnetare” të përbërë nga dhjetëra mijëra persona. “Për kë janë këto dhe kujt i nevojiten? Këto formësime ishin punime përgatitore për sulmet e kryera sot kundër Azerbajxhanit. Në foltoren e OKB-së kam thënë se Armenia po përgatitej për luftë të re. Armenia duhet të ndalet dhe do të ndalet. Armenia po përpiqet të vendoset në mënyrë të paligjshme në territoret tona që ka okupuar”, tha Aliyev.

Ai tha se një krizë demografike është përjetuar për shkak të problemeve të rënda ekonomike dhe sociale në Armeni dhe tërhoqi vëmendjen se popullsia e këtij vendi është ulur.

“Armenia me ‘politikën e shëmtuar’ që ka zhvilluar është bërë një qendër rreziku. Azerbajxhani po mbron vetëm territoret e tij. Malësia e Karabakut, historikisht është territor i Azerbajxhanit dhe kjo është e vërteta. Lidhur me këtë çështje pranë nesh është edhe ligji ndërkombëtar. Të gjitha vendet e njohin integritetin territorial të Azerbajxhanit. Po mbrojmë territoret tona. Karabaku është i yni, Karabaku është Azerbajxhan. Çfarë pune ka ushtria e Armenisë në territorin tonë? Armenia është një shtet pushtues dhe duhet t’i japë fund këtij pushtimi”, tha Aliyev.