Aleksandar Vuçiç: Situata do të përkeqësohet me formimin e Ushtrisë së Kosovës

Presidenti i Serbisë, Vuçiç tha se paralajmërimi për formimin e Ushtrisë së Kosovës shqetëson tej mase Serbinë, për sa i përket të ardhmes së serbëve në Kosovë

 Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç sot bisedoi me kreun e UNMIK-ut Zahir Tanin, të cilit i ka thënë se Serbia do të bëjë çmos për të ruajtur paqen dhe stabilitetin, por se situata, gjatë ditës së nesërme kur Prishtina do të sjellë vendimin për formimin e ushtrisë, do të përkeqësohet ndjeshëm ndërsa Tanin ka thënë se ndan shqetësimet lidhur me situatën në Kosovë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç thuhet në deklaratën nga Kabineti i presidentit të Serbisë, Vuçiç ka thënë se qëllimi i Prishtinës për formimin e ushtrisë është një tjetër masë provokuese dhe e njëanshme, pas vendosjes së taksës ndaj produkteve serbe dhe se kjo paraqet shqetësim tej mase për Serbinë, për të ardhmen e serbëve në Kosovë.

Vuçiç shtoi se KFOR-i sipas rezolutës 1244 është ai që ka mandatin “për çarmatosjen e forcave ilegalisht të armatosura të shqiptarëve të Kosovës”, dhe paralajmëroi se Serbia do të konsultohet me miqtë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për aksionet që mund t’i ndërmarrin si reagim kundër formimit të Ushtrisë së Kosovës.

Tanin tha se qëndrimi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres është që rezoluta 1244 të mbetet korniza valide për praninë ndërkombëtare në Kosovë dhe se ndryshim të mandatit të KFOR-it nuk mund të ketë pa pëlqimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ai theksoi se vendosja e taksës prej 100 për qind ndaj produkteve serbe është një shkelje e dukshme e marrëveshjes së CEFTA-s dhe se kjo masë duhet urgjentisht të hiqet.

Vuçiç iu lut kreut të UNMIK-ut, Tanin, që të ushtrojë ndikimin e tij dhe të paralajmërojë Prishtinën se “masat e njëanshme dhe provokuese” rrisin tensionet dhe rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në rajon, thuhet në deklaratën nga Kabineti i presidentit serb.