Alban Xhaferi ishte i ftuari special në “Sport Time”, emision i drejtuar nga Leila Kraja. Sponsori i Vllaznisë foli për shumë tema, nga dyshimi për prekjen e disa futbollistëve me COVID-19, përplasjen me këshillit bashkiak dhe kryetares Voltana Ademi e deri tek bojkoti i kampionatit.
“Vllaznia i ka marrë masat për të qenë aty ku të gjithë dëshirojmë, minimalisht të kapë kupat e Europës. Shpresojmë që Bojkoti të ndalet me përmbushjen e kërkesave. Situata është dinamike, jam i ri në këtë fushë, por shpresoj që gjithçka të zgjidhet. Jam marrë më sportin, jo me futbollin. Prej dy vitesh sponsorizoj ekipin e basketbollit. Në futboll angazhimi është shumë më i madh, ndryshon gjithçka. Në momentin që u bëra partner me bashkinë, provova gjëra të reja, isha i angazhuar 24 ore muajin e parë, me trajnerin dhe drejtorin teknik, është bërë punë voluminoze. Është momenti për të zbritur në fushë.”
COVID-19 te Vllaznia: Ka patur ndonjë lojtar me disa shqetësime, por pa probleme serioze. Presim një përgjigje. Dyshonim tek një futbollist. Shpresoj të kemi një përgjigje sot. Lojtari është shumë mirë, nuk ka probleme, ka patur dy ditë temperaturë.
Përplasja mes Këshillit Bashkiak dhe kryetares: Kontrata që kemi bërë me bashkinë nuk është ideale, do të doja të merrja aksionet. Aktualisht ka një luftë politike, ka një kërkesë në lidhje me pronarin e bashkisë, është diçka që ka shkuar në gjyq dhe që do kohën e vet. U kam bërë thirrje anëtarëve të këshillit të shikojnë formulën e privatizimit. Kam ardhur për të dhënë një kontribut për Vllazninë, për tifozët. Në një situatë të tillë politike çdo investitor ndihet i rrezikuar. Do të vazhdoj ta mbështes Vllazninë me aq sa kam mundësi, me hapësirat që na jep kontrata. Autoritetet duhet t’i delegojnë aty ku duhet vendimet.
Merkatoja: Jemi munduar të punojmë në ty plane: të sigurojmë elementin konkurrues për të arritur objektivat dhe elementin e perspektivës. Procesi i dytë është shumë i rëndësishëm, duhet të krijojmë bazën. Nuk ka logjikë që pas dy vitesh të marrim 16 lojtarë. Në vitin e parë na u desh të bënim shumë lëvizje.
Merkatoja mbyllet për pak ditë, 99% e ekipit është ndërtuar. Ndoshta mund të ketë një afrim të minutës së fundit. S’do të ketë më hapësira për merkaton. Kemi bërë disa miqësore, jemi të kënaqur, tani i takon stafit të punojë për harmoninë e skuadrës.
Objektivat: Këtë sezon, kërkojmë minimalisht të shkojmë në kupat e Europës. Trajneri me elementët që ka spikatur, është në të njëjtën linjë. Është një proces, fillimi mbetet i vështirë, sepse janë lojtarë që nuk kanë luajtur me njëri-tjetrin. Kjo kohë i ka shërbyer pozitivisht ekipit për harmonizimin. Duhet patjetër të jemi në pjesën e sipërme.
Kthimi në fushë: Jam shumë i etur për nisjen e garës. Jam i ri në detyrë dhe duhet të shoh kontributin në fushë. Kërkesat janë të drejta, do të futin sportin në një dinamike të re. Shpresoj që do të ketë një tryezë të re dhe qeveria të marrë pozicionin që duhet për kërkesat tona. Edhe qeveria edhe ne duhet të tolerojmë dhe të arrijmë një marrëveshje. Është një kauzë që nuk i shërben vetëm futbollit, por gjithë sportit në Shqipëri.