Aktivistët sauditë kërkuan të mësojnë mbi fatin e aktivistes së ndaluar Loujain Alhathloul, nga e cila tashmë për një kohë nuk dihet asgjë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë në llogarinë në Twitter të komunitetit “Të të Burgosurve të Ndërgjegjes”, e cila mbron të drejtat e viktimave të mendimit të lirë dhe e cila është formuar nga mbrojtës dhe aktivistë të të drejtave të njeriut në Arabinë Saudite, thuhet se nuk dihet për fatin e Loujain Alhathloul, e cila ka qenë në grevë urie për 11 ditë, dhe se komunikimi i saj me familjen është bllokuar.
Në deklaratë kërkohet që të shpaloshen informacione mbi aktivisten saudite sa më shpejt të jetë e mundur dhe që ajo të lirohet menjëherë pa u ndeshur me ndonjë rrezik që i kërcënon jetën, ndërsa të gjithë aktivistët u thirrën në mediat sociale për të përhapur kërkesën me etiketën “Ku është Loujain Alhathloul “.
Ende nuk është bërë asnjë deklaratë nga autoritetet saudite për rastin.
Motra e Alhathloul, Alya Alhathloul, njoftoi në llogarinë e saj në Twitter më 26 tetor se Loujain filloi një grevë urie për të protestuar ndaj bllokimit të administratës së burgut për t’u takuar me familjen e saj.
U arrestua në maj të vitit 2018
Gratë aktiviste saudite, përfshirë Alhathloul, Iman Al-Nafjan, Nawf Abdulaziz, Aziza al-Yusuf dhe Rukayya al-Muharib, u arrestuan në maj të vitit 2018, ndërsa më vonë u akuzuan nga Prokurori i Përgjithshëm për “dëmtim të interesave të vendit”.
Disa organizata të të drejtave të njeriut, përfshirë Amnesty International dhe Human Rights Watch, kanë pohuar se aktivistet për mbrojtjen e të drejtave të grave u janë nënshtruar torturave.
Arabia Saudite ka mohuar akuzat.