Aktivistët në Los Angeles numërojnë të pastrehët gjithnjë në rritje të qytetit (fotot)

Në tenda, streha të improvizuara apo rulota të vjetra, aktivistët e grupit të Mike Murase numërojnë popullatën e të pastrehëve, gjithnjë e në rritje në Los Angeles.

Murase thotë se numri i të pastrehëve në Los Angeles “është rritur dramatikisht” që prej pandemisë prandaj ata kanë nisur një përpjekje tre-ditore për numërimin e tyre të plotë.

Të pastrehët në qytetin e dytë më të madh në SHBA, mblidhen rreth zjarrve të vogla për t’u ngrohur në disa nga netët më të ftohta të vitit.

“Çështja e të pastrehëve është e vazhdueshme dhe liderët apo politikanët nuk preferojnë ta zgjidhin”, thotë aktivisti për rrjetin AFP.

Shifrat e vitit 2020 tregonin se në Los Angeles kishte 66,000 të pastrehë, 13 përqind më shumë se një vit më herët, dhe këtë vit pritet një tjetër rritje.

“Gjatë pandemisë shumë njerëz humbën punën e tyre, nuk paguanin dot qeranë, punëtorë ndërtimi, punonjës restorantesh”, thotë Murase.
“Ata nuk paguanin dot qeranë për dy ose tre muaj, nxirreshin jashtë dhe kur nuk ke familjarë apo të afërm përfundon në rrugë”, shton aktivisti.