Aksidenti në unazë/ Bashkia Tiranë: Po bashkëpunojmë me institucionet për zbardhjen e plotë të shkaqeve

Bashkia e Tiranës i uron shërim të shpejtë të gjithë qytetarëve që u lënduan sot në aksidentin e ndodhur pranë Urës së Shallvareve.

Përmes një njoftimi, Bashkia bën me dije se po bashkëpunon me të gjitha institucionet për zbardhjen e shkaqeve dhe të rrethanave të këtij aksidenti dhe se pamjet filmike i janë vendosur në dispozicion Policisë Rrugore Tiranë.

“Po bashkëpunojmë me institucionet përkatëse deri në zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave, që çuan në këtë ngjarje!

Të gjitha filmimet e kamerave të Policisë Bashkiake janë vendosur në dispozicion të Policisë Rrugore të Tiranës, teksa jemi informuar që të gjithë drejtuesit e mjeteve të përfshira janë testuar dhe intervistuar nga kolegët e policisë, për të çuar në hetimin e plotë të aksidentit, që fatmirësisht nuk pati pasoja në jetë njerëzish”, thuhet në njoftim.