Aksidenti në Tiranë, Veliaj: Lajm i mirë që nuk kemi pasoja të rënda! Të dy drejtuesit e mjeteve nuk kanë konsumuar alkool

Kryebashkiaku Erion Veliaj në një komunikim për mediat foli për aksidentin në Tiranë pranë Kinema Agimi, ku mbetën të lënduar pesë persona.

Veliaj tha se nga ekspertiza e policisë, rezultoi se të dy drejtuesit e automjeteve nuk kishin konsumuar alkool.

“Sot kemi pasur një aksident midis një autobusi dhe një makine. Lajmi i mirë është që kemi të lënduar lehtë. Menjëherë do të shkojmë në spital për të parë se si janë. Të dy drejtuesit e mjetit nuk kanë konsumuar alkool. Sigurisht në një zonë me shumë trafik dhe shumë aktivitete në Tiranë, lajmi i mirë është që nuk kemi të lënduar rëndë. Duhet të lejojmë policisë të bëjë punën dhe të mos bëhemi ekspertë për gjithçka”, tha Veliaj.

Ndërsa drejtuesi i policisë rrugore Taulant Gjoka tha: “Si e shikoni është një aksident rrugor që në pamje të parë duket i rrezikshëm. Kemi persona të dëmtuar lehtë. Më e rëndësishme është reagimi i parë që ka qenë në kohë reale”.

Aksidenti u raportua këtë të premte, rreth orës 20:10, në afërsi të Kinema Agimi. Një autobus u përplas me një automjet dhe si pasojë e aksidentit të dy përfunduan në Lumin Lana, ndërsa automjeti përfundoi poshtë urbanit.

Të lënduarit u transportuan në Spitalin e Traumës për kujdes shëndetësor dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.