Afganistan, të paktën 6 persona humbën jetën në një sulm me bombë në xhami

Në shënjestër të sulmit ishte prijësi fetar pro-qeveritar në qarkun e Kabulit, Shakar Dara

Të paktën 6 persona e kanë humbur jetën dhe 20 të tjerë u plagosën kur një bombë shpërtheu brenda një xhamie afër kryeqytetit të Afganistanit, Kabul, gjatë namazit të xhumasë, raporton Anadolu Agency (AA).

Incidenti ndodhi në fshatin Haji Bakshi në periferi të Kabulit, tha Gawhar Khan, guvernatori i qarkut Shakar Dara në provincën Kabul.

Ai tha se bomba ishte vendosur brenda në xhami, me sa duket kishte në objektiv imamin Mufti Nauman, prijësin fetar pro-qeveritar që është midis viktimave. Nuk pati ndonjë pretendim të menjëhershëm të përgjegjësisë për këtë sulm.

Policia konfirmoi incidentin dhe dërgoi një ekip për hetime të mëtejshme.

Dhuna është rritur në Afganistan javët e fundit, veçanërisht pasi SHBA-ja shpalosi planet për tërheqjen e të gjitha trupave amerikane deri më 11 shtator. Një sulm i fuqishëm ndaj një shkolle në Kabul vrau dhjetëra nxënës më 8 maj.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme të paktën 300 civilë humbën jetën dhe 500 të tjerë janë plagosur që nga 14 prilli.