Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupi fitues i çmimit për kualitet për vitin 2018

Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit, që menaxhohet nga kompania ajrore TAV Maqedoni, për të katërtën herë me radhë është fitues i çmimit për kualitet të shërbimeve të aeroportit, që jepet nga Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve

Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit (ANSH), që menaxhohet nga kompania ajrore TAV Maqedoni, për të katërtën herë me radhë është fitues i çmimit prestigjioz për kualitet të shërbimeve të aeroportit, që jepet nga Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve (Airports Council International-ACI), raporton Anadolu Agency (AA).

Kjo organizatë ndërkombëtare, ka vendosur që çmimi ndërkombëtar ASQ – Airports Service Quality, për vitin 2018 t’i takojë aeroportit që menaxhohet nga kompania ajrore TAV, duke e radhitur ANSH-në si aeroportin më të mirë në Evropë në kategorinë e aeroporteve me më pak se 2 milionë udhëtarë në vit. Më herët, ANSH e kishte fituar këtë çmim në vitet 2012, 2013 dhe 2015.

Drejtori i përgjithshëm i kompanisë ajrore TAV Maqedoni, Alper Ersoy, u shpreh i lumtur për çmimin e fituar, ndërsa theksoi se përderisa vazhdimisht shënohet rritje e numrit të udhëtarëve, kompania i kushton rëndësi të veçantë kualitetit të shërbimeve.

“Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit është aeroporti që shënon rritje më të shpejtë në Ballkan, me numër dyshifror të normës së rritjes në vitet e fundit. Ashtu siç e dini, kemi arritur në shifrën prej dy milionë udhëtarëve në vitin 2018, vetëm 4 vjet pasi e mirëpritëm udhëtarin e një miliontë në vitin 2014”, tha Ersoy.

Ai u shpreh mirënjohës për të gjithë udhëtarët që kanë dhënë vlerësime të larta, si dhe kanë dhënë komentet e tyre që do ta ndihmojnë kompaninë që edhe më tutje të përmirësojë kualitetin e shërbimeve që i ofron. Ersoy gjithashtu falënderoi edhe stafin e Aeroportit Ndërkombëtarit të Shkupit për mundin e tyre, për të cilët tha se janë më meritorët për çmimin e fituar.

Çmimi prestigjioz ndahet në kuadër të Programit për Kualitet të shërbimeve të aeroporteve, ndërsa fituesi i çmimit u bë i ditur më 6 mars në selinë e ACI-së në Montreal, Kanada, ndërsa çmimi ndahet në bazë të vlerësimeve të udhëtarëve dhe paraqet një mirënjohje për aeroportet anekënd botës për eksperiencën e shkëlqyer të udhëtarëve.