“Administrata tatimore, e rëndësishme për luftimin e krimit ekonomik”

Ministri i Financave, Hamza tha se ka kërkuar nga Fondi Monetar ndihmë teknike për të përcaktuar shkencërisht nivelin e përafërt të ekonomisë gri në vend

Organizata joqeveritare Demokracia Plus dhe Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese BIRN me mbështetje të Ambasadës së Britanisë së Madhe organizuan tryezën për integritetin në Administratën Tatimore të Kosovës, ku janë prezantuar të gjeturat nga monitorimi i ATK-së për periudhën kohore shtator 2018 – shkurt 2019, raporton Anadolu Agency (AA).

Visar Rushiti nga “Demokracia Plus”, autori i raportit mbi monitorimin e ATK-së, tha se është vërejtur se inspektorët tatimorë, pavarësisht nga lloji i shkeljeve të ligjit gjithashtu janë dënuar dhe se në bazë të analizës së gjobave është vërejtur se shkelje e rëndë e ligjit ka qenë edhe vetëm transferimi nga një vend pune në tjetrin me detyra të ngjashme ose ndalimi i avancimit për një periudhë të caktuar kohore.

“Gjëja tjetër që kemi vërejtur gjatë monitorimit ishte se në ATK nuk ka pasur deklarime pronësore për dy vitet e fundit dhe sipas ligjit aktual mbi ATK, në diskrecionin e drejtorit të ATK-së, ai u kërkon zyrtarëve të ATK-së të raportojnë pasurinë e tyre. Kjo nuk ka ndodhur në dy vitet e fundit dhe ne mendojmë se kjo çështje duhet të zbatohet”, tha Rushiti.

Zëvendësambasadori i Britanisë së Madhe, Tom Adams tha se Administrata Tatimore është një institucion i rëndësishëm për Kosovën sa i përket zhvillimit ekonomik, por edhe nga aspekti i sundimit të ligjit dhe luftës së ekonomisë gri dhe krimit ekonomik. Ai theksoi se puna e mirë e këtij institucioni nënkupton rritjen e të ardhurave dhe mundësimin e reformave dhe investimeve kapitale.

“Të gjithë e dimë se Kosova ka një ekonomi shumë të madhe gri dhe kjo është thënë në raporte të ndryshme, për disa arsye. Ne e dimë se udhëheqja e re do të trajtojë këtë si një çështje me prioritet, prandaj padyshim që koha po na sfidon. Dua të konfirmoj se Ambasada e Britanisë së Madhe është partneri juaj dhe mbështesim institucionet e Kosovës në përpjekjet e tyre për të rritur transparencën, llogaridhënien, qeverisjen e mirë dhe luftën kundër krimit ekonomik”, tha ai.

Ministri i Financave i Kosovës, Bedri Hamza, tha se ka kërkuar nga Fondi Monetar ndihmë teknike për të përcaktuar shkencërisht nivelin e përafërt të ekonomisë gri në vend, sepse vazhdimisht flitet për një nivel të lartë, por shifrat ndryshojnë varësisht se kush i prezanton ato.

Hamza tha se ekziston lufta dhe se niveli i ekonomisë gri në Kosovë është zvogëluar, siç tregon rritja e të hyrave, që është një përqindje më e lartë se rritja në zhvillimin ekonomik. Ai gjithashtu kërkoi që, përveç zbatimit të ligjit për mbledhjen e tatimeve, i cili është një detyrim, të drejtat e tatimpaguesve duhet të merren parasysh në mënyrë që të mos falimentojnë. Sipas tij, cilësia e kontrollit të inspektorëve tatimorë është gjithashtu e rëndësishme.

“Në raport theksohet se ka mungesë të resurseve për kontrollin e integritetit (ATK). Do të thoja ndryshe, nëse matet madhësia e administratës tatimore në tërësi me numrin e bizneseve, është shumë e qartë se çfarë kam pyetur institucionet kompetente, nuk është se Administrata Tatimore ka pak të punësuar, por duhet të bëhet riorganizimi i saj brenda Administratës Tatimore”, tha ministri Hamza.