Abuzim në tendera, pezullohet nga detyra prefekti i qarkut Kukës, Granit Gjana

Prefekti i qarkut të Kukësit, Granit Gjana është pezulluar nga detyra me kërkesë të SPAK.

Kompania “Ufo Cenko” u pengua nga i dyshuari në tenderin për blerje karburanti në vlerën 21.000.0000 lekë, të organizuar nga Autoriteti Kontraktor Bashkia Kukës përgjatë vitit 2023, thonë burime të gazetares Anila Hoxha.

“Nga provat e grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit nga Prokuroria e Posaçme është krijuar dyshimi se Gjana në cilësinë e zv/kryetarit të Bashkisë Kukës, por me kompetencat e deleguara si titullar i Autoritetit Kontraktor Bashkia Kukës, ka konsumuar elementë të veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Gjana me mospaisjen në kohën e duhur me Autorizimin për tregtimin e lëndëve djegëse, edhe pse subjekti “U. C” shpk, i kishte kryer pagesat e nevojshme dhe dorëzuar dokumentacionin pranë organit shtetëror sipas ligjit, e ka penguar të kualifikohet në dy procedurat e tenderit me objekt “Blerje karburanti”, në vlerën 21.000.0000 lekë, të organizuara nga Autoriteti Kontraktor Bashkia Kukës përgjatë vitit 2023. Për pasojë Gjana ka dëmtuar interesat e ligjshme të personit juridik “U. C.” Shpk, duke e penguar këtë subjekt për t’u kualifikuar në procedurën e prokurimit të mësipërm”, sipas SPAK.

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar caktoi masën “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, ndaj Gjanës, i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, duke ndaluar ushtrimin e detyrës pranë Prefekturës Kukës.

Gjana mori postin e prefektit të Kukësit në shtator të këtij viti, pas lirimit nga detyra të Albert Halilajt, i cili kandidoi nën siglën e PS për kryetar të bashkisë Kukës në zgjedhjet që u mbajtën më 24 shtator. Më herët ai ka mbajtur postin e Nënkryetarit të bashkisë së Kukësit.

Në gusht të këtij viti, Gjana u thirr nga SPAK në cilësinë e nënkryetarit të bashkisë Kukës. Ai dha dëshminë e tij në SPAK për dosjen nën hetim në ngarkim të Safet Gjicit, i dyshuar për korrupsion dhe nën arrest me burg prej muajit qershor.

Për shkak të video skandalit në zyrën e Gjicit, ku ish kryebashkiaku shfaqet duke biseduar për një tender me një grua të përfshirë në aferë seksuale, SPAK e pyeti nënkryetarin Gjana mbi procedurat e ndjekura për këtë tenderim.