A është nxitimi përshpejtues i çarjes përfundimtare të PD ?

Nga Redi Shehu

Ashtu siç edhe pritej, me 30 Prill u organizua tubimi i paralajmëruar  i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, të asaj që ka një vendim gjyqësori të shkallës së parë, se PD-ja tjetër që pret vendimin e apelit, akoma nuk quhet vërtet PD, porse një PD në tentativë. Kjo ngjarje, nuk solli ndonjë të re përveç asaj që pritej. Në të vetmin pallat të kongreseve që, laj thaj, qëndron aty si një dëshmi e dështimit të investimeve në kulturë e të gjitha qeverive shqiptare, brohorimat duken se janë të vetmet gjëra që vërtetojnë përsëritjen e historisë për të pafundmen herë dhe për të pafundment kauzë. Nuk kishte asgjë të re në kuptimin që i gjithë proçesi nuk kishte të bënte me rithemelimin  apo rilindjen e një partie, jo, ajo që ka ndodhur gjatë gjithë kësaj periudhe që nga 9 shtatori i 2021 dhe deri në këtë kuvend, ka qenë thjesht ripaketimi apo riambalazhimi i mallit të vjetër me ambalazh të ri me date të re skadence.

Nuk ka ndonjë surprizë në të gjithë këtë proçes, dhe as në atë që do pasojë në Maj të këtij viti me zgjedhjen e kryetarit të ri të Partisë Demokratike. Do ndodhë ekzaktësisht ajo që të gjithë e dimë shumë mirë, marrja e Partisë Demokratike nga shegerti tek pronari i saj i vjetër. E gjithë retorika e përdorur, e përdredhur me gjuhë ligjore dhe demokratike, nuk është tjetër veçse kamuflim i një qëllimi parapolitik, i një politike tribaliste klanore dhe fisnore e cila kurrë nuk e ka lënë të qetë Partine Demokratike. Parapolitikë si një etapë primitive para të bërit politikë, të një lideri si z. Berisha i cili nuk e la që historia t’i vinte nga pas, por iu turr historisë duke iu vardisur asaj për të përmbushur nevojat e tij të cilat janë që nga personale e deri tek ato familjare e klanore, duke rrezikuar kështu të flaket tej prej saj. Këto konsiderata nuk janë të shprehura nga një i majtë, por nga një i djathtë si unë që e shikon se fati i të djathtës shqiptare ka emigruar tashmë nga bravat e Lulit dhe po kyçet në kasafortën e blinduar të Saliut drejt një të ardhmeje krejt të panjohur.

E veçanta e të gjithë proçedurave që janë bërë deri më tanë, që nga Foltorja e deri tek kuvendi i fundit, përshkohen nga e përbashkëta e tyre që është nxitimi. Gjatë këtyre gjashtë muajve të aksionit politik të Rithemelimit, nxitimi ka qenë lajtmotivi kryesor. Nxitim për të dalë në foltore dhe për të linçuar këdo që mbështeste PD-në e Bashës, pavarësisht se pak javë më parë ishin vetë këta që fallsifikonin zgjedhjet për ta bërë atë kryetar, nxitim në thirrjen e kuvendit të 11 Dhjetorit dhe në organizimin e referendumit kombëtar brënda një jave, nxitim për të bërë primaret e kandidatëve te gjashtë bashkive për zgjedhjet e pjesëshme vendore, nxitim në mbledhjen e kuvendit kombetar si dhe nxitim për të shpallur zgjedhjet për kryetar partie brënda pak javëve pas kongresit. 


Përse gjithë ky nxitim? Përse kjo politika e faktit të kryer? Kujt i trembet Rithemelimi? Pas asaj traume që pësoi Partia Demokratike, e fundit që kane vojë është nxitimi. Partia ka nevojë për reflektim dhe  proçedura të pjekura dhe përbashkuese. A është nxitimi promotor i mëtejshëm i përçarjes? Kujt i intereson përçarja? Këto janë pyetje legjitime që gëlojnë në kokat e çdo demokrati i cili nuk është pjesë e skalioneve militanteske të cilat shpejtojnë të renditen pas individëve dhe fatin e partive politike në Shqipëri e kanë lidhur me individin dhe jo me kauzën apo ideologjinë  që ata i përfaqëson.  Përgjigjen e kësaj pyetje secili e gjen tek  komunikimi joverbal që z. Berisha bën prej kohësh me opinionin publik. Ai është i cili u vendos në krye të tryezës së Foltores i vetëm edhe pse kishte të tjerë të pakënaqur me Bashën. Ishte dhe vazhdon të jetë i vetëm në uljen publike të të gjitha tryezave të ndjekësve të tij, ulet në kryet të tavolinave të cilat kurrë nuk janë të rrumbullakëta edhe pse është një deputet i thjeshtë, pra në formë joverbale u thotë të gjithëve që kryetari i Partisë Demokratike në formë të paracaktuar jam unë dhe si i tillë gara më duhet vetëm si mburojë ligjore për të legalizuar një fakt tashmë të kryer, dhe ky fakt i kryer për t’u kompletuar ligjërisht  më shumë se çdo gjë tjetër ka nevojë për nxitim.

Është shumë interesante për t’u parë se çfarë do të ndodhë nëse apeli i jep të drejtë z. Alibeaj dhe maxhorancës së grupit parlamentar demokrat, duke zhbërë të gjithë atë që rithemelimi ka bërë deri më tani. Ja perse nxitimi nga ana e Komisionit të Rithemelimit për të përmbyllur proçedurat, është një nxitim i cili kërkon t’i dalë para një vendimi eventual të apelit. Hezitimi i 35 parlamantarëve demokratë për t’iu bashkuar Berishës dhe mungesa e tyre në Kuvendin e Rithemelit, tregon se pritshmëria e tyre për një vendim pozitiv të apelit është e lartë. Ata nuk pranojnë të bëhen pjese e proçesit të berishizimit total dhe përfundimtar të Partisë Demokratike. Ata shpresojnë se duke qëndruar jashtë gjithë kësaj farse që ka marrë nota qesharake, do të mund të shpëtojnë diçka nga demokracia brënda Partise Demokratike.

Kokëfortësia dhe nxitimi për të përmbyllur gjithçka, përpara se gjykata të shprehet përmes një vendimi të apelit lidhur me të gjithë konfliktin brënda Partisë Demokratike, tregon se sido që të shkojnë gjërat, Partia Demokratike do qëndrojë e përçarë në dy njësi politike të cilat pashmangshmërisht do të dobësojnë rolin e saj si opozitë dhe do të zgjasin jetëgjatësinë politike të maxhorancës.