Nga data 9 Gusht, markimi dhe monitorimi i karburanteve do të kalojë totalisht nën përgjegjësinë e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Ministria e Financave ka mbyllur përfundimisht kontratën koncesionare, e cila ishte shtyrë për një vit, nga 10 vite që ishte përcaktuar kohëzgjatja fillestare.
Vendimi i miratuar në mbledhjen e qeverisë mbi disa ndryshime në ligjin për akcizat specifikon se doganat do të kenë tashmë përgjegjësinë për administrimin e procesit të shënjimit/ngjyrimit për karburantet.
Vendimi përcakton se procesi i shënjimit/ngjyrimit realizohet përpara kryerjes së pagesës së akcizës dhe shoqërohet me një dokument, që vërteton kryerjen e shënjimit/ngjyrosjes. Mbikëqyrja dhe kontrolli është procesi që kryhet nga administrata doganore me anë të teknologjisë së posaçme në dispozicion të saj, nëse këto produkte janë shënjuar/ngjyrosur. Asnjë nga produktet e akcizës, për të cilat është i detyrueshëm shënjimi/ngjyrimi, nuk mund të hidhet për konsum/qarkullim të lirë i pashënjuar/i pangjyrosur..
Por çfarë do të sjellë mbyllja e kësaj kontrate për konsumatorët shqiptarë të karburanteve?