Edi Rama: Vaksinën antiCovid e marrim në mes të janarit!

"Kur vjen puna për të lypur për Shqipërinë, jam njësh!"

Kryeministri Edi Rama deklaroi në konferencën e sotme ku në fokus ishte ekonomia, se Shqipëria po bën përpjekje intensive për të siguruar vaksinën antiCovid.

Ai shprehu bindjen se në mes të janarit edhe Shqipëria do nisë vaksinimin.

Kryeministri nuk e fshehu modestinë kur tha se kur vjen puna për të lypur për Shqipërinë e bën pa më të voglin ngurrim.

“Jemi në përpjekje intensive për vaksinën. Situata e përgjithshme është shumë domethënëse sa i përket situatës edhe në Europë. Sot që flasim Italia ka në dispozicion 9700 vaksina, vend i BE me një popullsi të konsiderueshme. Ka nisur vaksinimin me kaq doza. Ndërkohë çfarë ka ndodhur në nivelin europian, gjithë partia e parë e dozave të disponueshme është ndarë mes vendeve të BE dhe ndërkohë ju është lënë vendeve të negociojnë me vende apo palë të tjera për të ndarë nga paketa e tyre.

Nga ana tjetër, se çfarë nuk dëgjon këtu, kompanitë duke filluar nga Pfizer bëjnë marrëveshje që sidoqoftë janë të lidhura me shtetet, nuk bëhet drejtpërdrejt me kompanitë. Kur them shtete kam parasysh BE si një entitet i tërë. Kini parasysh se në SHBA ka një ndalesë me një akt të Presidentit të SHBA që asnjë dozë s’mund të dalë nga SHBA. I gjithë ky ngërç i takon fazës së parë pasi prodhimi do të rritet. Ne jemi të bindur që do fillojmë vaksinimin pa pritur që të kalojë ky ngërç. Do e fillojmë vaksinimin brenda janarit. Ne në mes të janarit do fillojmë me mjekët dhe infermierët e do vazhdojmë me grupet vulnerabël. Jemi në diskutime edhe me Astra Zenicën dhe me Modernën dhe besoj që shumë shpejt do finalizojmë marrëveshjen me Pfizer e cila lidhet me kapacitetet që janë në shtete të ndryshme. Ndaj edhe kjo mbetet për diskutim, se duhet kuptuar mekanizmi si funksionon shpërndarja. Pas takimit tonë me bosin e Pfizer, ekipi çon e merr dokumentacione përkatës, e ndërsa nga ana jonë ne po punojmë se ka gatishmëri Pfizer dhe po negociohet me një vend tjetër që të mund të vijë tek ne, se ndryshe nuk funksionon.

U fol se nisi vaksinimi në Maqedoninë e Veriut, por çfarë filloi? Bëhet fjalë për 100 doza të dhëna të aprovuara nga Bullgaria në formë solidariteti dhe miqësie, por mekanizmi kështu funksionin.

Objektivi ynë është që të mos mbetemi asnjë minutë mbrapa të tjerëve dhe të nisim menjëherë në janar.

Këtu do jemi, kështu do ndodhë se kur vjen puna për të lypur për Shqipërinë e shqiptarët më falni për modestinë por jam njësh”.

I pyetur nga gazetarët për një datë konkrete, Rama u shpreh: “Nuk thashë në fillim, thashë brenda, s’jap data se është shumë e vështirë. Datat e dhëna nga dëshira kthehen në premtime të pambajtura. Po bëjmë përpjekje të vijnë sot. Por brenda janarit fillon.

Për kompanitë, jemië në fazë të avancuar me Pfizer. Pas pak kemi kontaktin e dytë me Astra Zeneca, pasi kemi bërë një takim kontakt të parë ku jemi përfshirë disa prej nesh e disa prej tyre.

Ndërkohë jemi në kontakt edhe me Modernën, por jo kaq të avancuar”.

Sa për shifrat e Covid, Rama tha se krahasuar me rajonin, Shqipëria është vendi me më pak viktima.

“Duke iu referuar burimeve të pavaruara dhe serioze, ne kemi 405 viktima për 1 milion banorë, në Bosnje dhe Kroci norma është tre herë me lartë, në Mal të Zi është mbi 1 mijë. Ne jemi në një nivel të pranueshëm dhe të arsyeshëm për të qënë të motivuar që të vazhdojmë përpara e të gjithë bashkë pa shkaktuar katastrofa edhe pse çdo jetë e humbur na dhimbset. Dua të sjell në vëmendje se masat e marra, strategjia e ndjekur dhe zbatimi i tyre me korrektesë nga njerëzit ka sjellë që ne të jemi sot që flasim vendi me numrin më të ulët të fataliteteve në rajonin tonë. Sa i përket menaxhimit brenda sistemit, edhe këtu janë faktet që flasin. Vlen përsëri të ngrihet një krahasim mes asaj se ku ishim dhe ku jemi sot me infrastrukturën spitalore.

Ne sot jemi në kushtet kur infrastruktura është as më shumë e as më pak si në të gjitha vendet e tjera sa i përket vijës së zjarrit. kemi 1600 shtretër shtesë nëse do jetë nevoja kemi 4 spitale të specializuara nga të cilat dy struktura të reja për të përballuar këtë goditje. Së shpejti vijnë 400 mijë teste të shpejta në Shqipëri, kemi rimbursuar skemën e paketës bazë të barnave për pacientët që trajtohen në shtëpi, ndërkohë kemi garantuar një vaksinim të konsiderueshëm për gripin sezonal, duke ulur vulnerabilitetin në këtë fazë kaq delikate, se nëse bashkohen gripi dhe infeksioni krijojnë premisa për fatalitet të lartë. Paguajmë më 1 mijë euro plus cdo muaj mjekët dhe 500 euro stafin tjetër mbështetës”,- tha ai.