Edi Rama: Programi i rindërtimit po ecën me ritme shumë të larta

Programi mbi procesin e rindërtimit sipas kryeministrit Rama po ecën me ritme shumë të larta, duke iu referuar kantiereve të ndërtimit në Durrës, Fushë Krujë, Laç, Kavajë dhe qytete të tjera

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një konferencë për mediat u fokusua në çështjet që lidhen me procesin e rindërtimit të banesave për familjet e prekura nga tërmeti i nëntorit të vitit të kaluar dhe situatën e pandemisë COVID-19, raporton Anadolu Agency(AA).

Programi mbi procesin e rindërtimit sipas kryeministrit Rama po ecën me ritme shumë të larta, duke iu referuar kantiereve të ndërtimit në Durrës, Fushë Krujë, Laç, Kavajë dhe qytete të tjera.

Në mesin e projekteve që po zbatohen është edhe ai i financuar nga Qeveria e Turqisë, që përfshin ndërtimin e 524 apartamenteve dhe po zbatohet në Njësinë Administrative Laç, në Bashkinë e Kurbinit.

“Programi adreson një problem jashtëzakonisht të mprehtë për mijëra e mijëra familje, por ndërkohë krijon kushtet për një përfshirje masive të të gjithë kompanive të ndërtimit dhe faktikisht për një përfshirje në punë të një numri të konsiderueshëm individësh. Padyshim që qëllimi ynë mbetet deri në fund që shtëpitë e rindërtuara të jenë më të mira, të jenë më të forta. Në total janë 13 kantiere banesash individuale dhe gjashtë kantiere zona të reja”, tha Rama.

Sa i përket procesit të rindërtimit të shkollave ai tha se “Jemi në një proces jashtëzakonisht pozitiv për shkollat. Programi i rindërtimit do të akomodojë 14 mijë fëmijë në shkolla. Një pjesë e rindërtimit të shkollave do të mbulohen me financimet e Komisionit Evropian dhe procesi tanimë është drejt fundit nga pikëpamja e gjithë kontratave”.

“Procesi i rindërtimit ka patur një pengesë të madhe të krijuar nga karantina e përgjithshme. Natyrisht procesi i rindërtimit ka dhe një aspekt tjetër që lidhet me donatorët. Donatorët i menaxhojnë vetë fondet dhe të gjitha proceset me fondet e donatorëve bëhen nga vetë donatorët. Sfida jonë është të ndërtojmë apartamente të cilët të jenë absolutisht niveli më i mirë i ndërtimit në vendi”, u shpreh Rama.

Ministri i Rindërtimit i Qeverisë së Shqipërisë, Arben Ahmetaj, i pranishëm në konferencë tha se procesi i rindërtimit është një program tërësisht social. “Programi i rindërtimit është një program unik, program unik i krahasuar edhe me shumë vende të tjera të zhvilluara”, tha Ahmetaj.

Tërmeti shkatërrimtar i nëntorit të vitit të kaluar me magnitudë 6,3 ballë në Shqipëri, shkaktoi 51 viktima, plagosi qindra të tjerë, si dhe zhvendosi nga banesat e dëmtuara rreth 17 mijë njerëz.

Në lidhje me situatën e fundit nga pandemia COVID-19, ku vazhdon rritja e rasteve pozitive, Rama tha se asgjë nuk është jashtë parashikimeve dhe sipas tij rritja e numrave ishte e parashikuar. “Ministrja Manastirliu ka folur çdo ditë për rrezikun e madh të valës së dytë si rezultat i relaksimit dhe i marrjes lehtë të përballjes pasi u kalua një fazë e ndërmjetme, ku faktikisht gjërat u dukën sikur po shkonin drejt një normaliteti dhe e kemi thënë në mënyrë të përsëritur që nuk është e vërtetë”

Sa i përket çështjes së mësimit online në universitete, Rama tha: “Kjo situatë është situatë lufte, nuk është situatë ku mund të planifikosh në afatgjatë. Këto masa nuk vijnë si rezultat i dëshirës apo improvizimit. Këto masa vijnë si rezultat i studimit përditë të kurbës së numrave. Ne nuk kemi ndaluar mësimin, ne kemi thënë se mësimi do të bëhet në distancë për shkak se është tanimë e qartë që në këtë valë të dytë të rinjtë luajnë një rol shumë të madh negativ në transmetimin e infeksionit për shkak se shumica e tyre janë asimptomatikë dhe për shkak se nuk janë të prirur të respektojnë me rigorozitet rregullat.”

Viti i ri akademik filloi më 2 nëntor në të gjitha universitetet e vendit, por për shkak të pandemisë COVID-19 procesi mësimor do të zhvillohet online të paktën 1 muaj dhe më pas do të merren vendime të tjera në varësi të situatës epidemiologjike në vend. Vendimi për mësimin online u kundërshtua nga një pjesë e studentëve të cilët organizuan edhe protesta në Tiranë.