Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është takuar në Tiranë me ministren e Punëve të Jashtme të Suedisë, Ann Linde, ndërkohë në konferencën e përbashkët për mediat u fokusuan në çështjet e integrimit evropian, bashkëpunimin mes dy vendeve dhe çështje të tjera, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri Rama, i cili e ka cilësuar si të dobishëm takimin me kryediplomaten suedeze tha se kanë biseduar për temat që lidhen me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
“Kemi prej disa muajsh një kontakt të vazhdueshëm dhe një bashkëpunim të shkëlqyer për të nxitur një zgjidhje me dialog në Bjellorusi, por nga ana tjetër në funksion të stafetës së kryesimit të OSBE-së kemi një diskutim konstant mbi të gjitha temat, tema që janë jo të lehta në një pjesë të konsiderueshme të tyre dhe për të cilat fatmirësisht ne kemi një qasje 100 për qind të dakorduar”, theksoi Rama.
Kujtojmë se OSBE paraqiti në gusht një ofertë zyrtare në qeverinë e Bjellorusisë për një vizitë nga kryetari i radhës i OSBE-së, kryeministri dhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ministrja Linde, që merr kryesimin e ardhshëm të organizatës, për takime me përfaqësuesit e qeverisë dhe përfaqësuesit e opozitës për të ndërmjetësuar krizën pas zgjedhjeve në Bjellorusi.
Rama tha se kanë diskutuar edhe për bashkëpunimin me Suedinë në aspektin e integrimit evropian që sipas kryeministrit të Shqipërisë “është një proces ku miqtë tanë suedezë dhe Ann në mënyrë të posaçme janë plotësisht mbështetës dhe të angazhuar që ta shtyjmë përpara procesin”. Ai u shpreh se kanë diskutuar edhe në aspektin e bashkëpunimit bilateral, “ku kemi arsye të jemi shumë mirënjohës për Suedinë që në të gjitha këto vite i ka qëndruar Shqipërisë pranë si një mik i vërtetë.”
“Projektet e bashkëpunimit me Suedinë kanë qenë projekte që gjithmonë kanë sjellë cilësi, mësime dhe gjithmonë kanë vlejtur për të hedhur hapa më tej, ashtu sikundër patjetër që ne jemi shumë të lumtur që së shpejti do të kemi në Shqipëri çeljen zyrtare të një investimi shumë të veçantë suedez në turizëm dhe shpresojmë që kjo do të vlejë për të promovuar drejtpërdrejt përmes një shembulli konkret Shqipërinë turistike në Suedi dhe në vendet nordike”, u shpreh Rama gjatë konferencës.
Ai tha më tej se gjithashtu kanë diskutuar për një hap të ri në bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe të luftës kundër krimit të organizuar. “Kemi kaluar në një fazë tjetër të bashkëpunimit me një ndërveprim në terren të oficerëve të policisë shqiptare në shtete përkatëse dhe të oficerëve të shteteve përkatëse në Shqipëri për të koordinuar më mirë luftën kundër krimit të organizuar. Jemi absolutisht të gatshëm që të çojmë në Suedi oficerët tanë, të mirëpresim këtu oficerët suedezë”, tha Rama.
“Ka shumë problematika që duhen zgjidhur për OSBE-në”
Ministrja Ann Linde tha gjatë konferencës se Suedia në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE) mbështet plotësisht Shqipërinë për hapjen e bisedimeve për integrimin në BE.
“Ka shumë problematika që duhen zgjidhur për OSBE-në dhe duke qenë se ne do të jemi vendi kryesues i ardhshëm, duhet që të jemi të ndërgjegjësuar për problemet. Kemi diskutuar për zgjidhjen e çështjes së Bjellorusisë dhe unë bashkë me kryeministrin kemi diskutuar për të lehtësuar dialogun me mes regjimit dhe opozitës, është akoma një bisedë mbi tavolinë. Ne mendojmë se duhet të lëmë gjithmonë mundësi të hapura në momentin kur mendojmë që ka mundësi për dialog, për një Bjellorusi demokratike”, tha ajo.
Në lidhje me konfliktin mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, ministrja suedeze tha se “Një tjetër problematikë e rëndësishme është ajo çfarë po ndodh në Karabak(Malësinë e Karabakut). Jam shumë e shqetësuar për situatën dhe jetët e humbura, duke përfshirë edhe shumë civilë. OSBE me rolin e saj të rëndësishëm me Grupin e Minskut, me bashkëdrejtuesit Rusinë, SHBA dhe Francën dhe unë plotësisht mbështes përpjekjet e bashkëdrejtuesve dhe përfaqësuesit e drejtuesve të cilët po përpiqen të ndalojnë armiqësitë dhe luftën që po ndodh midis Azerbajxhanit dhe Armenisë”.
“Gjithashtu vlerësojmë punën e vështirë, punën serioze që është bërë nga qeveria për përgatitjet për kandidaturën për anëtarësimin(në BE) në të ardhmen. Gjithashtu kur shohim raportet nga Bashkimi Evropian një fushë ku Shqipëria ka qenë shumë e suksesshme është fusha e shtetit të së drejtës”, tha ministrja e Jashtme sudeze.
Shqipëria ka këtë vit kryesimin e radhës të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ndërkohë Suedia e merr kryesimin e organizatës vitin e ardhshëm.