Kandidati për vaksinë që po zhvillohet nga Akademia Bullgare e Shkencave (BAN) kundër koronavirusit të ri (COVID-19) do të jetë gati deri në fund të vitit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Doç. Penka Petrova nga Instituti i Mikrobiologjisë pranë BAN në deklaratën për gazetarët tha se pritet që fazat e testimit të kandidatit të vaksinës vendas që po zhvillohet me mbështetjen financiare të Institutit Louis Pasteur në Paris dhe Fondit të Kërkimit Shkencor në Bullgari të përfundojnë deri në fund të vitit.
“Derisa pritet të dalë një vaksinë efektive, rekomandohet që njerëzit t’u drejtohen ushqimeve të tilla si gruri, tërshëra e bardhë, thekra dhe prodhimet e detit që përmbajnë selen duke ndryshuar regjimin e tyre të ngrënies si dhe shtesat e vitaminës D, C dhe E që ata mund të marrin gjatë kësaj periudhe”, tha ajo.
Ndërkohë Ministria bullgare e Shëndetësisë njoftoi se në 24 orët e fundit me 436 raste është shënuar numri më i lartë që nga fillimi i pandemisë.
Në vendin me popullsi prej 7 milionë banorësh janë raportuar 22.306 raste. Numri i pacientëve që trajtohen në spital u rrit në 971.
Deri më tani në vend kanë humbur jetën 862 persona nga COVID-19.