Kosovë, shënohet Dita Botërore e të Moshuarve

Nga Lidhja e Pensionistëve të Kosovës kanë bërë apel që t'u njihet përvoja e punës gjatë viteve të 90-ta dhe të gjithë ata që u larguan nga puna, "t’u paguhet pension meritor"

Në Ditën Botërore të të Moshuarve, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale të Kosovës, Skender Reçica, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, kanë vizituar Lidhjen e Pensionistëve dhe Shtëpinë për Persona të Moshuar pa Përkujdesje Familjare në Prishtinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri Reçica në një deklarim për media pas takimit me përfaqësues nga Lidhja e Pensionistëve tha se ka biseduar për jetësimin e kërkesave të tyre sa më parë.

Ai tha se u ka shprehur atyre vendosmëri dhe përkushtim për miratimin sa më parë të të gjitha akteve ligjore të cilat ndikojnë në mirëqenien e të gjithë qytetarëve, veçmas plotësim-ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Shtetit, që i hap rrugë njohjes së stazhit të punës për punonjësit e larguar me dhunë gjatë viteve të 90-ta nga pushteti serb.

“Jam zotuar para Lidhjes së Pensionistëve dhe para gjithë pensionistëve që një brengë e madhe për ta që është mosnjohja e stazhit të viteve 90-99 për të gjithë ata pensionistë të cilët në atë kohë dhunshëm u larguan nga vendet e tyre të punës, jemi të përkushtuar që këtë ta rregullojmë sa më parë që është e mundur. Natyrisht, duke u konsultuar dhe koordinuar edhe me akterë tjerë brenda Qeverisë dhe urojmë që ta kemi edhe përkrahjen e tyre”, tha Reçica.

Ligji për e Skemat Pensionale të Shtetit parasheh që çdo pensionist i cili nuk i ka përmbushur 15 vjet përvojë pune para luftës (1999) në Kosovë, paguhet me pension të pleqërisë 90 euro, pa iu njohur stazhi i punës, me anë të së cilës do t’i merrnin 180 euro.

Në këtë kategori që s’u njihet përvoja e punës, në Kosovë ka raste nga më të ndryshmet, nga ata që s’u njihet kjo përvojë vetëm për edhe për disa muaj, deri tek ata që nuk mund t’i marrin 180 euro pension për shkak të disa ditëve mungesë përvoje të dëshmuar.

Kryetari i Lidhjes së Pensionistëve, Shaban Kajtazi tha se çështja e pensionistëve vazhdon të mbetet e pazgjidhur, derisa theksoi se me këtë gjë po ndihen të diskriminuar si kategori.

“Ka pensionistë që për tre ditë nuk e realizon pensionin (nuk i njihet e drejta) për shkak që i mungon stazhi. Është një rast i keq që ata që kanë punuar gjatë okupimit, ata e kanë gëzuar pagën atëherë, e gëzojnë tash edhe pensionin me stazh. Ndërsa ata që ia kanë kthyer shpinën okupatorit, sot kanë mbetur keq”, tha Kajtazi.

Në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë, ku jetojnë 68 të moshuar ndër të cilët ka pasur gjatë kohës së pandemisë edhe dhjetëra të infektuar me koronavirus, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj u tha se posa të vijnë vaksinat e para në Kosovë kundër koronavirusit, simbolikisht do të fillojnë dhënien e tyre në pikërisht në këtë Shtëpi, e më pas edhe tek qytetarët dhe grupet tjera të rrezikuara.

“Si Ministri e Shëndetësisë në planet tona për përkujdesjen shëndetësore është vaksinimi kundër gripit i qytetarëve të Republikës së Kosovës. Së pari, jo vetëm për simbolikë por për përkujdes do të fillojmë shumë shpejtë pikërisht këtu, nga shtëpia e të moshuarve ta bëjmë vaksinimin e të gjithë juve dhe më pas qytetarëve tjerë, të sëmurëve kronikë, fëmijëve, grave shtatzëna dhe të gjitha grupeve të rrezikuara”, tha Zemaj.

Me qëllim të sensibilizimit të opinionit ndërkombëtar për rritjen e pjesëmarrjes së grupmoshave të vjetra (moshuara) në popullsinë e përgjithshme dhe pasojave nga një zhvillim i tillë, me qëllim të zhvillimit të një shoqërie për të gjitha moshat, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më 14 dhjetor 1990 vendosi 1 tetorin si Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve. Shënimi i parë i kësaj dite ka filluar nga 1 tetori i vitit 1991.