Kosovë, protestë e punëtorëve teknikë dhe të sigurimit fizik në shëndetësi

Arsyeja e protestës është pakënaqësia e tyre ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës që do t’u japë mjekëve shtesa prej 300 eurove në kohë të pandemisë, ndërsa atyre jo...

Punëtorët teknikë dhe ata të sigurimit fizik që punojnë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), në spitalet rajonale dhe në qendrat e mjekësisë familjare si dhe ambulanca kanë mbajtur sot protestë duke kërkuar pagesë shtesë prej 300 eurove, raporton Anadolu Agency (AA).

Protesta e tyre vjen pasi Ministria e Shëndetësisë apo Qeveria e Kosovës vendosi që mjekëve, për shkak të përballjes së tyre me koronavirusin e ri (COVID-19) në vijën e frontit, t’u japë si shpërblim 300 euro shtesë për muajt në vazhdim.

Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, protestuesit janë vizituar nga kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, i cili tha se protesta po bëhet pikërisht për shkak se sikurse mjekët edhe këto kategori po përballen njësoj me pacientë që janë të prekur nga koronavirusi ndërsa nuk do ta marrin shtesën prej 300 eurove.

“Kemi dalë sot në nivel të Kosovës në të gjitha Qendrat e Mjekësive Familjare, në të gjitha spitalet dhe ambulancat që të kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që edhe ne të jemi pjesë përbërëse e listave të cilat i kanë bërë më herët me një vendim të datës 27 gusht 2020. Andaj këta punëtorë me të drejtë kërkojnë që të jenë në listën e stimulimit sikurse mjekët, sepse ne si sindikatë e kemi argumentuar se ndoshta më të rrezikuar janë punëtorët teknikë sesa mjekët”, ka thënë Azemi.

Ai ka paralajmëruar se protesta e tyre mund të radikalizohet. Azemi tha se në vazhdimësi do të dialogojnë me autoritetet e larta të vendit, por kur dialogu nuk do të ketë efektet e veta me protesta organet shëndetësore në vend mund të futen në kaos.

Punëtorja teknike Emine Sahiti tha se kanë dalë për të kërkuar shtesat prej 300 eurove. Ajo tha se në kohë të karantinës kur nuk ka pasur transport, punëtorët teknikë kanë punuar një ditë po dhe një ditë jo me nga 12 orë punë, duke ecur në këmbë për “shkak të standardit të ulët ndërsa mjekët kanë pushuar nga dy apo tre ditë.

“Edhe ne jemi njerëz dhe jemi të rrezikuar mund të themi më shumë se ata (mjekët) që janë të rrezikuar. Që në hyrje kemi kontakt me bravat e dyerve, korridoret, shportat, çarshafët. Duhet të hymë brenda ku jepen infuzionet dhe ku bëhen intervenimet. Çdo ku ne kemi punë me të gjithë të sëmurët”, tha Sahiti.

Në sektorin publik, paga mujore e mjekut është rreth 600 euro në muaj, derisa infermierët për punën e tyre paguhen me rreth 400 euro.

Ditëve të fundit, Kosova ka regjistruar rënie në numrin e të infektuarve me koronavirus. Sipas të dhënave të fundit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë, që prej 13 marsit, deri më 10 gusht janë regjistruar 14.446 persona pozitiv me koronavirus nga të cilët 581 kanë vdekur dhe 11.033 janë shëruar.