Kosova nënshkruan marrëveshje prej 30 milionë euro me BERZH-in

“Kredia do të ndihmojë Ndërmarrjet Publike që të kalojnë sa më lehtë periudhën e pandemisë duke marrë parasysh që shumica e tyre kanë pësuar rënie në të hyra deri në 50 për qind si rezultat i pandemisë”, thuhet në njoftimin e MF-së

Ministria e Financave e Kosovës ka nënshkruar marrëveshje me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në vlerë prej 30 milionë euro për projektin “Kredia e likuiditetit të urgjencës së infrastrukturës vitale”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Ministria e Financave, kredia është e destinuar për Ndërmarrjet Publike Qendrore dhe Lokale.

“Kredia do të ndihmojë Ndërmarrjet Publike që të kalojnë sa më lehtë periudhën e pandemisë duke marrë parasysh që shumica e tyre kanë pësuar rënie në të hyra deri në 50 për qind si rezultat i pandemisë”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Sipas të njëjtit burim, meqë vendi po vazhdon të përballet me pasojat e pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), përmes kësaj mbështetjeje BERZH-i do të sigurojë ofrimin e shërbimeve thelbësore të infrastrukturës për shkak se gjatë kësaj periudhe shumë ofrues të infrastrukturës vitale kanë pësuar një mungesë të përkohshme të të hyrave.

“Kësti i parë deri në 14 milionë euro do t’i sigurohet qeverisë për huazim për ofruesit e infrastrukturës vitale për mbështetje të menjëhershme emergjente. Derisa, kësti i dytë deri në 16 milionë euro do të përdoret për financim dhe mbështetje të mëtejshme deri në përmirësim të arkëtimit të ofruesve të shërbimeve të infrastrukturës vitale”, thuhet më tej në njoftim.

Mbështetja për infrastrukturën vitale gjatë pandemisë COVID-19 është një nga komponentët kryesor të përgjigjes së BERZH-it ndaj krizës së pandemisë. Si përgjigje për këtë situatë të krijuar në nivel global, Banka ka miratuar një Paketë Solidariteti në vlerë prej 21 miliardë euro në periudhën 2020-2021 për të luftuar ndikimin ekonomik të COVID-19.