Kalın: Armëpushimi në Libi duhet të jetë i vazhdueshëm

"Në Libi ne mbështesim qeverinë legjitime. Ndërsa qeveria e Francës mbështet baronin e një lufte jo-legjitime dhe rrezikon sigurinë e NATO-s, të Mesdheut, Afrikës së Veriut si dhe stabilitetin politik të Libisë", tha Kalın

Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, İbrahim Kalın deklaroi se armëpushimi në Libi duhet të jetë i vazhdueshëm, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë për agjencinë franceze të lajmeve, Agence France-Presse (AFP), Kalın tha se Turqia mbështet qëndrimin e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA) në Libi e cila mbron indenë se për një armëpushim të vazhdueshëm forcat e Haftarit duhet të largohen nga rajonet Sirte dhe Al-Jufra.

Duke iu referuar marrëveshjes politike të arritur në vitin 2015 në Marok, Kalın bëri të ditur se një armëpushim mund të arrihet nëse të gjithë në Libi rikthehen në pozicionet në vitin 2015. “GNA ka këtë mendim dhe ne këtë e mbështesim sepse forcat e Haftarit këto vende strategjike i përdorin si platformë për sulme”.

– “Franca rrezikon sigurinë e NATO-s”

Pasi ka vënë në dukje se Franca rrezikon sigurinë e NATO-s duke mbështetur Haftarin, zëdhënësi Kalın tha se “Në Libi ne mbështesim qeverinë legjitime. Ndërsa qeveria e Francës mbështet baronin e një lufte jo-legjitime dhe rrezikon sigurinë e NATO-s, të Mesdheut, Afrikës së Veriut si dhe stabilitetin politik të Libisë”.

“Derisa këto janë të pranishme ende na fajësojnë dhe kritikojnë neve. Ne këtu po punojmë me emra legjitimë. Franca është ajo e cila ndërhyn në të gjitha këto rajone që punon me emra të gabuar, që mbështet elemente jolegjitime dhe më pas kthehet dhe na akuzon neve”, tha Kalın.

– “GNA nuk do të mbështesë asnjë marrëveshje në të cilën është i përfshirë Haftari”

Duke kritikuar Haftarin, Kalın tha se “Që në fillim ishte i pabesueshëm. Ka prishur të gjitha marrëveshjet për armëpushim dhe të gjitha iniciativat për uljen e tensioneve. GNA nuk do të mbështesë asnjë marrëveshje në të cilën është i përfshirë Haftari. Ky është rezultati që ne nxjerrim nga analiza e tyre dhe ne e mbështesim këtë”.

Kalın ka akuzuar Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) për “financim të luftës” dhe i quajti të “pakuptimta” përpjeket e EBA-së për të sulmuar Turqinë dhe presidentin Recep Tayyip Erdoğan, përtej rolit të saj në botën arabe-islame.

– “Do të qëndrojmë atje përsa kohë që dëshiron qeveria e Libisë”

Lidhur me Egjiptin, Kalın tha se Ankaraja i kupton shqetësimet “legjitime” të Kajros për siguri në çështjen e kufirit Egjipt-Libi, por se mbështetja e Haftarit është një “politikë e gabuar”.

Ndaj pyetjes për të ardhmen e Turqisë në Libi, zëdhënësi Kalın tha se “Do të qëndrojmë atje përsa kohë që dëshiron qeveria e Libisë”.