Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe kryeministri i vendit Edi Rama, kanë përcjellë mesazhet e tyre me rastin e Ditës së Çlirimit të Kosovës, transmeton Anadolu Agency(AA).
Në një deklaratë për mediat, Meta tha se uron të gjithë qytetarët e Kosovës “për këtë ditë shumë të rëndësishme të çlirimit dhe të lirisë që fitoi populli i Kosovës, urime që ia kam përcjellë sot edhe drejtpërdrejt në një takim miqësor që patëm paradite me presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. Njëkohësisht shpreh falënderimin më të sinqertë për aleatët tanë, për NATO-n dhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës për atë kontribut madhor që dhanë”.
Ndërkohë, në rrjetet sociale, Meta duke publikuar një video nga hyrja e trupave të NATO-s në Kosova ka shkruar se sot, në 21-vjetorin e Çlirimit të Kosovës, “kujtojmë me nderim të jashtëzakonshëm jetën dhe veprën lapidare të Presidentit historik Ibrahim Rugova dhe Komandantit legjendar Adem Jashari, djemtë dhe vajzat e UÇK-së, si dhe dhjetëra e mijëra heronj e dëshmorë që dhanë jetën për Kosovën Republikë”.
Kryeministri Rama, në rrjetet sociale ka shkruar se “21 vjet që ikën shumë shpejt nga një ditë e bekuar që kurrë nuk do të ikë prej kujtesës sonë kombëtare. Kosova e lirë. Lavdi dëshmorëve dhe popullit të Kosovës”.
Në lidhje me Ditën e Çlirimit të Kosovës kanë përcjellë mesazhet e tyre edhe zyrtarë të tjerë të vendit.
Kujtojmë se Kosova sot shënon 12 Qershorin – Ditën e Çlirimit, ku në vend organizohen ceremoni të ndryshme zyrtare.
Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë kanë zbarkuar trupat e para të këmbësorisë së Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), ndërsa ka nisur largimi i forcave serbe nga vendi.